Baçi: Anëtarësia e Fierit nuk e njeh Bashën si kryetar, më 11 Dhjetor zyrat e selisë i kthehen anëtarëve të PD-së
Më 25 nëntor, Agron Kapllanaj, deklaroi se ai ishte emëruar në krye të degës së Fierit, post i cili mbahej nga Luan Baçi. Brava e selisë u ndërrua dhe Kapllanaj tha se procesverbalet dhe çelësat e zyrës i janë dorëzuar nga përfaqësuesit e PD konform të gjitha procedurave. Ndërrimi i bravës së derës në zyrën e PD në Fier u referua si çështje në Polici nga sekretari i PD-së Emiljano Mone.
Luan Baçi në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News me gazetarin Arnold Kariqi u shpreh se nuk kanë shkuar më në seli qëkur është ndërruar brava.
Baçi: Unë jam bërë një mburojë për mos shkuar për arsye se kisha një irritim ato ditë. Ne nuk mund të përgjigjemi me një njëjtën monedhë që bëjnë 2-3 veta tek kryesia e PDSH, duke bërë një veprim të pafalshëm, prej ordinerësh do ta quaja. Pak rëndësi ka se zyrat i kanë bllokuar, pak ditë do të jenë këto sepse me mbarimin e Kuvendit të 11 dhjetorit është e garantuar që ato zyra do t'i kthehen anëtarëve të PD, strukturave të PD-së dega Fier.
Zoti Baçi u shpreh se anëtarësia nuk shkon në seli. Ata e kanë ndërruar bravën, por gjithë strukturat e PD-së, nënkryetarët, sekretariati i PD-së, kryetarët e grup-seksioneve, sekretaret janë ata që kanë firmosur në shumicë formularët e 11 dhjetorit dhe nuk e njohin fare këtë zëvendësim që është bërë, madje nuk njohin as kryetarin e PD-së Lulzim Bashën.
Sipas zotit Baçi, Basha nuk ka të drejtë të emërojë një kryetar të ri dege, ai zgjidhet me votën e demokratëve.
Baçi: Kur dega e Fierit kaloi në mbështetje të Foltores së Berishës për të mirën e PD-së, kryetari Basha nxjerr asin nga mënga dhe thotë unë do të bëj një komandim aty se nuk më përgjigjet kryetari i degës dhe gjithë anëtarësia. Ai i ka hapur luftë gjithë anëtarësisë dega Fier. Unë kam qenë mbështetës kryesor i Bashës në 8 vite se e shikoja që ishte kryetar i PD dhe duhet të vinim në pushtet. Por pas 4 humbjeve rresht, pas humbjes spektakolare në 25 prill janë drejtuesit ata që mbajnë përgjegjësi edhe kur vidhesh.
Baçi u shpreh se janë në borxh me demokratët dhe nuk duhet të veprojnë duke mbajtur peng karrigen dhe vulën.
Intervistoi Arnol Kariqi, përgatiti Xhuljana Zhuleku
