Paketa e PD për dekomunistizimin, Pampuri: Nismë emergjentë, është iniciuar që në 2018 nga opozita
Komisioni i Venecias është pro shtyrjes së afateve të komisioneve të Vettingut në Shqipëri, përkatësisht komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Sipas Venecias, amendamenti kushtetues, për zgjatjen e mandatit të KPK-së dhe Komisionerit Publik, është në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Deputetja e PD-së, Orjola Pampuri e ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se për këtë çështje është debatuar dhe në Parlament dhe në Komisionin e ligjeve mes opozitës dhe mazhorancës. Mazhoranca ka qenë unanimisht për shtyrjen e afatit dhe ka pasur kërkesa që opozita të bëhet bashkë me të për shtyrjen.
Pampuri: Për sa i përket kësaj çështjeje ende nuk ka një diskutim përfundimtar nga PD-ja dhe PD-ja ka qenë kundër shtyrjes së afatit për arsyen se afati i tyre përfundon në qershor dhe sa kohë për diskutim. Pro meqë Komisioni i Venecias mori një vendim, do të ketë diskutime të tjera, por mendoj që PD ka pasur argumentet e saj për të qenë kundër një çështjeje të tillë.
Një tjetër debat, ka qenë edhe urimi nga deputeti i PS-së Bujar Çela me foton e diktatorit Enver Hoxha për festën e Pavarësisë. Lidhur me këtë, PD-ja kërkoi paketën e dekomunistizimit. Pampuri u shpreh se kjo nismë nuk ka qenë e iniciuar nga veprimi i deputetit Çela.
Pampuri: Kjo nismë është iniciuar që në vitin 2018. Alibeaj ka paraqitur një paketë dhe është diskutuar me grupe përfaqësuese dhe në fund është finalizuar një draft por në vitin 2018 ne lamë mandatet dhe nuk kishim mundësi që ta finalizonim. Para 25 prillit ne paraqitëm programet për secilën fushë, dhe një nga pikat e rëndësishme ishte dhe programi për ish të përndjekurit dhe pati një rëndësi edhe paketa e dekomunistizimit.
Pampuri u shpreh se kjo nismë ka qenë gjithnjë një prioritet për 4 vitet e ardhshme paketa ligjore e PD-së për dekomunistizimin.Deputetja e cilësoi dekomunistizimin emergjent sepse simbole të tilla, shprehje të tilla nga ajo kohë nuk duhet të ekzistojnë më. Sipas saj ka qenë një periudhë e vështirë, një regjim i egër i cili preku shumë individë, intelektualë, familje dhe sot të përmendet emri i diktatorit dhe për më shumë të urohet me foton e tij është e pafalshme.
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti Xhuljana Zhuleku
