Berisha: Kosova po kërcënohet nga Ballkani i Hapur, Vuçiç të kërkojë ndjesë

Foltorja e rikthehu pas 8 vitesh në Tropojë liderin historik të Partisë Demokratike.

Në vendlindje, demokratët që e kanë mbështetur përgjatë rrugëtimit të tij politik e pritën me entuziasëm.

Nga veriu, Sali Berisha përcolli akuza të forta për Lulzim Bashën kur tha se po mbledh firma për Kuvendin e datës 18 në këmbim të posteve në qeverinë Rama.

"Peng kryetari me një grusht vasalësh po përpiqet të mbledhë firma duke ofruar poste drejtorash, zëvendës ministrash në kabinetin e Edi Ramës. Ky është akti i fundit i turit i tyre," tha Berisha.

Ish-Kryetari i PD-së tha se bashkëpunimi Rama-Basha do të marrë si përgjigje protestat që ndryshe nga ato të pasardhësit të tij nuk do të përqendrohen në çadra.

"Edvin pengun merre dhe strehoje ku të duash, bëje ministër, bëj ç'të duash me të. Para se të vijmë te kutitë e votimit, do votojmë me këmbë dhe duart tona, me protesta derisa të përmbysim narko-shtetin tënd. Harroje se ngulim çafra, ne jemi ortek," tha Berisha.

Në foltoren e Tropojës foli gjatë për Kosovën duke thënë se po kërcënohet nga projekti Ballkani i Hapur.

Presidentit të Serbisë i kërkoi të njoh genocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës.

"Nga kjo platformë do t'i çoj një mesazh Sllobodanit të ri, hiqe nga mendja se do të kalojë Ballkani i Hapur në Shqipëri me firmën e Edi Ramës," shtoi Berisha.

Reformën në Drejtësi Berisha e cilësoi të dështuar dhe për ta faktuar solli disa shembuj.

"Të na serviret Ardian Dvorani si kampion i luftës kundër korrupsionit. Albtelecomi i paguan gjykatësit 17 mijë euro, gjysmën e apartamentit, por çfarë përfiton Albtelecom nga gjykatës Dvorani? 9 vendime gjyqësore në favor të Albtelecom kundër agjencive shtetërore," tha ai.

Demokratët e Tropojës Sali Berisha i njohu edhe me ndryshimet në statutin e PD-së ku njoftoi se Azem Hajdari do të shpallet President i përjetshëm i kësaj force politike.