"PD nuk është në krizë", Pampuri: Kundërshtari i vetëm politik është kryeministri, nuk ka marrëveshje Rama-Basha

Prej datës 9 shtator, kur Lulzim Basha vendosi të përjashtonte Sali Berishën me një vendim personal nga grupi i PD, brenda partisë ka filluar një "luftë" e brendshme.

Deputetja e PD-së, Orjola Pampuri e ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini nuk e shikon si krizë atë që po ndodh në PD. Ajo u shpreh se PD-ja ka kaluar kriza të brendshme të cilat i ka zgjidhur dhe brenda PD-së fjala e lirë është prioritet.

Pampuri: Ne kemi pasur mbledhje kryesie në të cilat është shprehur mendimi i lirë i secilit prej anëtarëve të kryesisë, nuk është penalizuar dhe penguar askush të thotë atë që mendonte përballë liderit të PD. Të gjithë këtë situata pas 9 shtatorit e ka perceptuar si të tillë një moment i vështirë, sigurisht vinte dhe një moment i nxitur emocionalisht pas një masakre zgjedhore që kaluam.

Pas një periudhe të tillë, u shpreh deputetja, kam menduar se kjo mund të jetë normale dhe do kalojë.

Pampuri i shpreh se PD ka një kundërshtar politik dhe ai është Edi Rama dhe sipas saj prioritet është vetëm ai.

Pampuri: Duke u marrë kaq shumë me njëri-tjetrin kam përshtypjen se ne favorizojmë atë që të vijojë korrupsionin, tenderat, koncesionet.

Debati Basha-Berisha

Doktor Berisha akuzon Bashën që për përfitime personale apo të grupit të njerëzve të tij mbështetës bashkëpunon me Ramën. Por për Pampurin, një person që lufton fort për t'u bërë kryeministër (Basha) nuk do të shkonte të bashkëpunonte me kundërshtarin dhe të vijonte të mbante kundërshtarin kryeministër dhe ai të qëndronte dhe të kishte gjithë këtë betejë të fortë brenda llojit të vet.

Pampuri: Kjo është e pabesueshme që kreu i PD-së të bashkëpunojë me kundërshtarin. Këto janë akuza që hidhen në një moment kur për shkak të konfliktit mund të shkohet dhe në akuza të tilla të cilat janë të pabaza.

Sipas saj, këto akuza janë totalisht të pavërteta.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti Xhuljana Zhuleku