Emigracioni i paligjshëm përmes “La Manche”-it, francezët organizojnë mbledhje sigurie, nuk ftojnë britanikët

Francezët dhe britanikët janë përplasur sërish për çështje të sigurisë. Këtë radhë ka qenë tema e emigrantëve. Palët do të zhvillojnë takime të ndara me aktorë politikë europianë për situatën e emigrantëve që kalojnë përmes kanalit të La Manche-it.

Britanikët kanë mobilizuar Forcat Speciale për të goditur trafikantët e qenieve njerëzore në kanalin e La Mancheit. Mediet britanike njoftojnë se ata do të kryejnë operacione të fshehta për të depërtuar në bandat e kontrabandistëve.

Një ekip prej 30 trupash elitare nga Regjimenti Special i Zbulimit do t'u ofrohet autoriteteve franceze për të trajtuar krizën e vazhdueshme të emigrantëve, shkruan e përditshmja “Daily Mail”.

Ndërkohë që kriza e emigrantëve kërkon zgjidhje dhe Franca dhe Britanikët janë dakord, ngjan se palët kanë mosmarrëveshje politike.

Franca ka njoftuar një takim të nivelit të lartë me ministrat evropianë për të diskutuar mënyrat e parandalimit që emigrantët që kalojnë Kanalin me gomone, por nuk ka ftuar në këto bisedime Britaninë. Në reagim, qeveria britanike njoftoi se do të zhvillonte bisedimet e saj për krizën me homologët evropianë më vonë gjatë javës.

Ministrat nga Franca, Gjermania, Holanda dhe Belgjika do të takohen në portin verior francez të Calais  për të diskutuar ccështje të sigurisë së përbashkët. Bisedimet u ndërmorën pas vdekjes tronditëse të 27 personave të mërkurën e kaluar, teksa ata tentuan të kalonin nga Franca në Angli me një gomone.

Pas kësaj ngjarjeje tragjike pati replica mes presidentit francez Macron dhe kryeministrit britanik Johnson, teksa Parisi dhe Londra kanë mosmarrëveshje që nga largimi i Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Shumë emigrantë besohet se udhëtojnë nga Belgjika për në Francën veriore, ku më pas drejtohen kah brigjet britanike.