Manja për festat e Nëntorit në burgun e Fierit me të dënuarit: Detyra jonë, riintegrimi juaj nesër

Me rastin e 28-29 Nëntorit, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka qenë në IEVP Fier, së bashku me disa prej drejtuesve më të lartë të pushtetit vendor dhe të zgjedhur në Kuvend të këtij qarku.

Ata ishin të pranishëm në një ditë festive organizuar nga drejtoria e këtij institucioni për personat që vuajnë dënimin në IEVP Fier.

Në fjalën e tij hapëse, drejtori i institucionit Arjan Hasani ka falenderuar për praninë zyrtarët e lartë, e ndërsa u është drejtuar të dënuarve si “banorë të përkohshëm të këtij institucioni” ka uruar festat e Nëntorit.

Ai ka theksuar se në sajë të punës dhe kujdesit të veçantë, IEVP Fier nuk ka pasur asnjë rast me Covid.

Ministri i Drejtësisë, duke iu drejtuar të dënuarve, tha: “Juve ju ka dënuar drejtësia për çka keni kryer, por detyra jonë, e të gjithëve ne, është që ju të riintegroheni dhe risocializoheni në shoqëri nesër. Në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë, trajtimi i të drejtave tuaja, puna e MD, puna e DPB dhe IEVP-ve, do të jenë në fokusin e punës sime, sepse secili prej jush, jeni një prind, jeni një vlla, jeni një bashkëshort, i dikujt përtej këtyre dyerve, dhe përtej këtyre mureve, pasi të lani borxhin me drejtësinë dhe shoqërinë, meritoni të keni jetën tuaj”.

Duke uruar festat e Nëntorit, Manja u shpreh që askush prej personave që vuajnë dënimin, të mos hezitojë t’i drejtohet drejtorive të IEVP, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë, për ankesat, apo problematikat që mund të kenë.