Masat anti-covid në Zvicër, qytetarët shkojnë në referendum të vendosin për kufizimet

Qytetarët zviceranë do t’i drejtohen këtë dielë kutive të votimit për të vendosur mbi masat kufizuese që kërkojnë të kenë. Shumë qytetarë refuzojnë përdorimin e certifikatës anti-Covid për të hyrë në ambiente publike, ndaj kërkojnë që të hiqet kjo politikë. Ndërkohë, zviceranët pritet që të votojnë pro kërkesave që ka bërë sindikata e punonjësve shëndetësorë vendas për rroga dhe kushte më të mira pune.

Ndërsa shumë vende të Evropës janë në alarm për variantin e ri të Coronavirusit nga Afrika e jugut dhe po mendojnë për politika izolimi, Zvicra ka zgjedhur të zbatojë parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë.

Zviceranët do t’u drejtohen kutive të votimit të dielën për të vendosur mbi politikat shëndetësore të kufizimit të lëvizjes të ndërmarra nga ministria e Shëndetësisë. Vendi ka më pak se dy të tretat e popullsisë të vaksinuar plotësisht, një tregues që zviceranët kanë një nga normat më të ulëta të vaksinimit në Evropën Perëndimore.

Infektimet me Covid-19 po rriten në mënyrë eksponenciale në vendet e Bashkimit Europian, teksa ministritë përkatëse të Shëndetësisë në Gjermaninë fqinje dhe Francë po rimendojnë masat e izolimit, ndërsa Austria ka bërë të detyrueshëm vaksinimin.

Ndërkohë, izolimi në kantonet zvicerane nuk ishte aq i rreptë sa në vendet fqinje. Njerëzit u lejuan të dalin jashtë për t’u ushtruar sa herë që dëshironin dhe shkollat ​​u mbyllën vetëm për disa javë.

Por, kur qeveria tha se nuk do të lejohej hyrja në ambiente lokalesh, restorantesh dhe teatrosh pa një certifikatë të negativizimit prej Covidit, shumë qytetarë dolën në rrugë për javë të tëra.

Ndërsa pritet që referendumi i së dielës të vendosë për politikat që do të ndiqen me certifikatën anti-Covid, qeveria ka këshilluar spitalet të rrisin kapacitetin e tyre të kujdesit intensiv. 

Një pikë tjetër që do të votojnë zviceranët ka të bëjë me kujdesin shëndetësor, ku vlerësohet se 10% e infermierëve dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor zviceran e kanë lënë profesionin që nga fillimi i pandemisë.

Ndaj ata kanë mbledhur firmat për një referendum mbarëkombëtar duke kërkuar më shumë investime dhe kushte më të mira pune për stafet shëndetësore në Zvicër.

Të dielën, votuesit zviceranë do të vendosin edhe për këtë.

Sondazhet sugjerojnë se pandemia ka bërë që qytetarët të kuptojnë sa të rëndësishëm janë punonjësit e tyre shëndetësorë, ku pothuajse 70% thonë se do të votojnë PO për kërkesat e infermierëve.

Sa i përket certifikatës anti-Covid, sondazhet paraprake thonë se rreth 60% e votuesve duken të gatshëm të mbështesin mbajtjen e certifikatës, dhe bashkë me të edhe kufizimet.