Austria godet rrjetin e trafikantëve, transportuan 700 emigrantë drejt BE kundrejt 5 mijë eurove për person
Një rrjet kriminal që trafikonte emigrantë në vendet e BE-së përmes shteteve të Ballkanit është goditur së fundi nga policia austriake. Kjo e fundit ka vënë në pranga 15 persona të cilët besohet se kanë trafikuar mbi 700 shtetas të huaj nga Libani, Egjipti dhe Siria drejt vendeve të BE-së duke përfituar 4 deri në 5 mijë euro për person.
Policia austriake ka shkatërruar një rrjet kriminal që dyshohet për trafikimin e qindra migrantëve përmes Ballkanit.
Policia në provincën Lovver të Austrisë tha më 27 nëntor se 15 trafikantë, shtetas të Moldavisë, Ukrainës dhe Uzbekistanit, u arrestuan gjatë kontrolleve në disa automjete të dyshuara, por edhe në një hotel në Vjenë.
Personat e arrestuar dyshohet se kishin trafikuar migrantët dhjetëra here duke i transportuar me vetura dhe furgonë nga kufiri ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë përmes Sllovakisë dhe Çekisë, deri në pjesën verilindore të Austrisë.
Shumica e migrantëve ishin nga Libani, Egjipti dhe Siria dhe qëllimi i tyre kryesor ishte që të arrinin në Gjermani.
Ky rrjet trafikantësh besohet se kishte transportuar mbi 700 shtetas të huaj, duke marrë 4,000-5,000 euro për person për çdo udhëtim deri në Austri.
Policia tha se ky grup kishte përfituar mbi 2.5 milionë euro nga trafikimi i migrantëve.
Trafikantët besohet se ishin rekrutuar në shtetet e tyre të lindjes përmes njoftimeve në rrjetet sociale, ku ofroheshin punë si shoferë me pagë mujore prej 2,000 deri në 3,000 euro.
Sipas zyrtarëve të policisë vendase, operacioni i trafikimit të njerëzve tregoi se e ashtuquajtura “Rrugë Ballkanike” është mjaft aktive dhe shumë e rrezikshme për migrantët, pasi një numër migrantësh vdiqën gjatë këtij viti.