Dyshohet se ka ardhur rasti i parë në Gjermani me mutacionin e ri të të Covid-19
Një zyrtar rajonal gjerman tha të shtunën se autoritetet shëndetësore kanë identifikuar rastin e parë të dyshuar në vend të variantit të ri Covid-19.
Autoritetet bëjnë me dije se bëhet fjalë për një person të kthyer nga Afrika e Jugut i cili ka shenja të variantit të ri të Covid-19, i quajtur Omicron.
"Varianti Omicron ka shumë gjasa të ketë mbërritur tashmë në Gjermani," -shkroi në Twitter Kai Klose, ministër i çështjeve sociale në shtetin perëndimor të Hesse, duke iu referuar llojit të zbuluar për herë të parë në Afrikën Jugore.
Gjermania u bë vendi i dytë evropian që gjeti një rast të dyshuar të variantit të ri shumë infektiv, i cili ka ngjallur frikën për një pengesë të madhe në përpjekjet globale për t'i dhënë fund pandemisë së koronavirusit.
Alarmi u rrit pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se lloji i ri, i njohur fillimisht si B.1.1.529 dhe më pas u quajt Omicron, ishte një "variant shqetësues" dhe më i transmetueshëm se lloji dominues Delta.
Australia dhe Tajlanda u bashkuan me Shtetet e Bashkuara, Brazilin, Kanadanë dhe një mori vendesh të tjera në mbarë botën duke kufizuar udhëtimin nga Afrika Jugore, ku u zbulua për herë të parë ky lloj.
Ndërkohë, Holanda zbuloi se 61 nga 539 njerëzit që kishin mbërritur të Premten nga Afrika e Jugut ishin pozitivë për Covid-19.
Personat e infektuar, të cilët fluturuan në dy fluturime nga Johanesburgu, po mbahen në karantinë në një hotel pranë aeroportit Schiphol të Amsterdamit, një nga qendrat më të mëdha ajrore ndërkombëtare të Evropës.
“Rezultatet pozitive të testit do të ekzaminohen sa më shpejt që të jetë e mundur për të përcaktuar nëse kjo ka të bëjë me variantin e ri shqetësues”, - tha Autoriteti Shëndetësor Holandez në një deklaratë.
Evropa tashmë po lufton me një rritje të koronavirusit që ka detyruar disa vende, përfshirë Holandën, të shtrëngojnë kufizimet dhe një variant i ri kërcënon të përkeqësojë situatën.
