Punësimi i pedofilit si mësues, reagon Kushi: Mbrojtja e nxënësve e shenjtë, nuk tolerojmë! Hetim administrativ
Ka reaguar edhe ministrja e Arsimit Evis Kushi lidhur me skandalin e ndodhur ne Berat ku një person i dënuar për pedofili dhe ngacmime seksuale është punësuar si mësues sërish.
Kushi shkruan se e dënon rastin e punësimit me kontratë të një mësuesi në Berat, që në vitin 2003 është dënuar nga gjykata për pedofili.
Ajo thekson se është e pafalshme që persona të tillë të hyjnë qoftë edhe për një orë të vetme në mjediset e shkollave dhe se personi është larguar menjëherë nga puna.
Po ashtu, ajo shton se për personat përgjegjës, që me neglizhencë apo paaftësi, nuk kanë marrë informacionin e duhur dhe kanë lejuar punësimin e tij do të merret menjëherë masë ndëshkuese.
Kushi: Dënoj fort rastin e punësimit me kontratë të një mësuesi në Berat, që në vitin 2003 është dënuar nga gjykata për pedofili. Pavarësisht se gjykata nuk ia hoqi të drejtën e rikthimit në detyrë dhe të ushtrimit të profesionit, edhe pse prokuroria e kërkoi një gjë tillë, është e pafalshme që persona të tillë të hyjnë qoftë edhe për një orë të vetme në mjediset e shkollave tona. Ky person është larguar menjëherë nga detyra dhe ndërkohë kemi nisur një hetim administrativ për të gjetur personin apo personat përgjegjës, që me neglizhencë apo paaftësi, nuk kanë marrë informacionin e duhur dhe kanë lejuar punësimin e tij. Për ta do të merret menjëherë masë ndëshkuese.
Për ne mbrojtja e nxënësve është e shenjtë dhe nuk tolerojmë askënd që cenon mirëqenien e tyre. Ndërkohë, ne në MAS do të rishikojmë menjëherë bazën ligjore dhe nënligjore, për të forcuar rregullat dhe procedurat e punësimit apo shkarkimit të mësuesve, për të mos lejuar që të ndodhin më raste që mund të përbëjnë rrezik për fëmijët tanë. Ju lutem të gjithëve, prindër, nxënës, mësues, apo përfaqësues të komuniteteve, denonconi çdo rast që cenon, apo dyshoni se rrezikon, të drejtat dhe sigurinë e fëmijëve në shkollë apo jashtë saj.
