Aksidentohet eskorta e Berishës, 24-vjeçari nga Kosova shkaktoi përplasjen

Një 24 vjeçar nga Kosova është proceduar penalisht pasi  ka qenë shkaktari i aksidenti në të cilin u përfshinë 3 makina mes tyre edhe një automjet që shoqëronte Ish-kryeministrin Sali Berisha I cili po kthehej nga “Foltorja” në Laç.

Policia e Lezhës ka proceduar penalisht një 24-vjeçar, në lidhje me aksidentin e ndodhur mbrëmjen e së premtes në autostradën Milot-Thumanë,  pranë Fushë-Mamurrasit ku u përfshi dhe një automjet i eskortës së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sipas bluve Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë proceduan penalisht shtetasin A.M. 24 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë.

Ky shtetas, në aksin rrugor Milot-Thumanë, në Fushë Mamurras, duke drejtuar automjetin tip "Benz " ka goditur mjetin tjetër tip "Benz " me drejtues shtetasin S.L., 28 vjeç, banues në Tiranë dhe ky i fundit ka goditur mjetin shoqërues të Sali Berishës I cili po kthehej nag Foltorja ne Laç.

Nga aksidenti morën lëndime dy shtetas kosovar dhe u dërguan për ndihmë mjekësore në urgjencën e Laçit nga ku mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas policisë të 3 automjetet qarkullonin në një sens lëvizjeje, në korsinë e shpejtësisë.

Por shoqëruesi i ish-kryeministrit Berisha ka pretenduar se një makinë e cila ka dalë nga një karburant është futur kundërvajtje në autostradë duke dalë ballë për ballë me vargun e makinave të eskortës së Sali Berishës.

Bazuar në këto pretendime policia është vënë në lëvizje dhe janë parë kamerat e sigurisë të bizneseve në zonë dhe ka rezultuar se nuk ka pasur asnjë automjet që të ketë lëvizur në sens të kundërt.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor ".