Testi i drogës për policët, në filtër edhe drejtuesit. Efektivët dorëzojnë gjakun te privati
Punonjësit e policisë së shtetit po i nënshtrohen testit të drogës pas urdhrit të firmosur nga drejtori i përgjithshëm Gledis Nano. Të parët që iu nënshtruan analizave ishin efektivat e policisë të Shkodrës e Pukës, ndërkohë që testit, do t'i nënshtrohen edhe drejtuesit e të gjithë sektorëve të rendit. Analizat që po zhvillohen falas nga një subjekt privat do t'i dorëzohen drejtorive të qarqeve ndërkohë që për punonjësit që rezultojnë përdorues, do të merret masa e përjashtimit nga radhët e uniformave blu.
Efektivat e parë të policisë së shtetit kanë nisur t'i nënshtrohen testit të përdorimit të drogës, menjëherë pas urdhrit të drejtorit të përgjithshëm Gledis Nano. Prej dy ditësh në ambientet e klinikës private po vijon edhe marrja e analizave të punonjësve të policisë, të cilat Ora News ka mësuar se do të kryhen falas.
Të parët të cilët iu nënshtruan testit ishin efektivë të drejtorisë së policisë së Shkodrës, Pukës, Vau Dejës të cilët gjatë sezonit veror kanë shërbyer për asgjësimin e parcelave me kanabis në zonat që mbulojnë.
Mësohet se efektivat kanë dorëzuar 2 analiza, atë të urinës dhe gjakut ndërkohë që të mërkurën përgjigjet e para të analizave janë dorëzuar në drejtoritë e qarqeve ku rezultati do t'i komunikohet edhe efektivëve.
Kryerja e testit të drogës është e parashikuar në ligjin për policinë e shtetit por prej vitesh nuk praktikohej.
Kreu i Sindikatës së punonjësve të policisë Sadetin Fishta thotë se testi në fjalë është një formë e mire për të larguar efektivët e inkriminuar.
"Ka shumë rëndësi që kjo po bëhet, po bëhet dhe për një arsye tjetër. Jo vetëm thjeshtë për të treguar se si është organizata e policisë deri tani, por do tregojë se sa punonjës policie kanë abuzuar me ligjin, sa punonjës kanë hyrë në strukturat e policit në shkelje të ligjit," tha Fishta.
Edhe pse në ligj parashikohet që efektivet e policisë duhet të japin edhe shenjat e gishtërinjve, kjo metodë prej vitesh nuk praktikohet, prandaj Fishta thotë së ky detyrim duhet të vihet në zbatim.
"Është edhe ADN-ja një ndër kërkesat që ka ligji. Punonjësit e policisë duhet ta kenë në momentin që futen në radhët e policisë, por dihet që ka pak vështirësi në realizimin e saj për shkak se mungojnë laboratorët për marrjen e një numri kaq të madh të punonjësve që ka policia," shtoi Fishta.
Punonjësit e policisë të cilët rezultojnë se janë përdorues të substancave narkotike do të përjashtohen nga radhët uniformave blu. Rezultat e testeve priten të bëhen publike pasi këtij procesi ti jenë nënshtruar të gjithë efektivët.
