Biblioteka e Sarandës pa libra e lexues, të moshuarit: Të rinjtë shikojnë në internet, librat s'preken më
Në Bibliotekën e Sarandës nuk ka më lexues. Të vetmit që e frekuentojnë atë janë gjimnazistët që kanë literaturë të detyrueshme për të lexuar. Më të moshuarit shprehen se atë që duan ta lexojnë nuk e gjejnë aty.
E vendosur në vitet e fundit në një nga ambientet e Kinotetatrit, qytetarët thonë se qyteti nuk ka më një bibliotekë. Literaturat e kërkuara nga ata nuk i gjen më.
"Nuk ka hapësira biblioteka më tani, tani s'ka as biblioteka jo më hapësira. Biblioteka e Sarandës është eleminuar," thotë një qytetar.
Më të vjetrit në moshë thonë se më parë, libri ishte më i aksesueshëm, në biblioteke. Ndërsa tani edhe të rinjtë, përdorin internetin për të kërkuar një libër.
"Ka dalë interneti, kanë dalë shumë gjëra të tjera dhe prandaj i kanë lënë pas dore këto," thotë një qytetare.
Në librari të regjistruar janë kryesisht nxënësit e gjimnazeve, për të marrë kryeveprat botërore që janë pjesë e literaturës shkollore.
"Tani unë di nxënësit e shkollës të mesme që duan libra jam e sigurt që shkojnë patjetër aty," thotë qytetarja.
Por në bibliotekën e Sarandës, nuk mund të shkosh në lexosh një libër pas orës 13:00. Kjo pasi në krahë të këtyre ambienteve zhvillohen aktivitete sportive.
"Orari i bibliotekës është nga ora 08:00 deri në 14:00 pasi kemi një institucion tjetër, klubin e shahut që frekuentohet pasdite."
Në karriget e bibliotekës nuk ulet askush, librat shpluhurosen vetëm nga gjimnazistët atëherë kur detyrohen të lexojnë ndonjë literaturë.
