Basha për VOA: Shpallja "non grata" e Sali Berishës goditje e rëndë për PD-në

Kreu i PD-së, Lulzim Basha në një intervistë për Zërin e Amerikës e cilëson shpalljen "non grata" të Sali Berishës nga DASH si një goditje të rëndë për PD.

Zëri i Amerikës: Partia Demokratike ndodhet sot ndoshta në një nga momentet më kritike të jetës së saj. Kur morët vendimin për të lënë jashtë grupit parlamentar zotin Berisha, e mendonit, e kishit parashikuar se situata mund të precipitonte deri në këtë pikë?

Basha: Detyra e kryetarit të Parisë Demokratike, ashtu siç e përjetoj unë me përgjegjësinë e marrë nga demokratët në një moment kritik për vendin jo thjesht për Partinë Demokratike, pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, përballë jo një kundërshtari politik, por një regjimi që ka shkatërruar kolonat e bashkëjetesës demokratike, është që t’i shërbejë interesit të vendit duke e mbajtur Partinë Demokratike të fortë e të bashkuar, e çështë më e rëndësishmja, në aksion kundër këtij regjimi.

Ajo që ka ndodhur me shpalljen non grata të Sali Berishës nga Departamenti i Shtetit, ishte padiskutim një goditje e rëndë për Partinë Demokratike.

Është lideri historik me një kontribut 30 vjeçar në jetën e Partisë Demokratike, me dritëhijet e veta padiskutim, por konteksti në të cilën kjo ndodhi, kërkonte një vendimmarrje. Dhe vendimmarrja ishte fare e qartë, o do të zgjidhnim një standard të vendosur tashmë nga Partia Demokratike, ku asnjëherë pavarësisht prej kërkesës tonë për transparencë, pavarësisht prej qëndrimeve tona sa i takon pjesës pozitive të trashëgimisë së zotit Berisha, asnjëherë nuk kemi mbajtur qëndrime të dyfishta.

Pra, të merrnim qëndrimin dhe vendimin që mora për të qëndruar si një forcë Pro perëndimore, Pro amerikane, siç kemi lindur, siç do të vazhdojmë, ose të vendoseshim në pozita kundërshtie me aleatin tonë strategjik. Duke vendosur jo thjesht demokratët, Partinë Demokratike, por vetë fatin e shqiptarëve në pikëpyetje dhe duke i hedhur në prehër kundërshtarit tonë historik, gjithashtu kundërshtarit historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës deri në fillimet e pluralizmit, favore të pamerituara në betejën politike mes palëve, e cila duhet të përfundojë me mundjen e regjimit dhe me triumfin e demokracisë.

Por Basha shprehet se vendimi për ta pezulluar nga grupi parlamentar zotin Berisha ishte në të plotë me statutin dhe me rregulloren e grupit parlamentar

Basha: Partia Demokratike, kryetari i saj ka marrë një vendim me përputhje të plotë me statutin dhe me rregulloren e grupit parlamentar për ta pezulluar nga grupi parlamentar deri në përfundimin e çështjes gjyqësore që ka hapur kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo dhe vetëm kjo i shërben demokratëve, respekton sakrificën e tyre, kjo dhe vetëm kjo është rruga për të ecur përpara drejt misionit që shqiptarët na kanë ngarkuar dhe që presin ta çojmë deri në fund, që është ndryshimi. Ndryshim i cili nuk mund të vijë duke pasur dilema sa i takon marrëdhënies së PD-së me perëndimin. Ne mund të kemi opinione të ndryshme, mendime të ndryshme mbi çështje të ndryshme. Çështjen e marrëdhënieve me partnerin tonë strategjik që e kemi pasur në krah kur hodhëm komunizmin, që kemi pasur në krah kur ngritëm flamurin e Shqipërisë në NATO, që e kemi pasur në krah kur bëmë të mundur pavarësinë e Kosovës, çlirimin dhe pastaj pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj dhe mbrojtjen e integritetit të saj territorial. Nuk është çështje lirie mendimi, apo mendimi ndryshe, është çështje e identitetit të Partisë Demokratike, është çështje e identitetit të çdo demokrati.

Intervista e plotë