"Mos më vrit, nuk dua të bëhem një engjëll" homazhe para kryeministrisë për vogëlushin Mateo

"Mos më vrit, unë nuk dua të bëhem një engjëll," shkruante pankarta që mbante në duar një fëmijë.

Me qiri në duar dhe me sytë nga fotografia e Mateos qytetarë të shumtë u mblodhën para kryeministrisë në shenjë homazhi për ngjarjen tragjike në Fier.

Për disa minuta ata qëndruan të gjithë në heshtje.

Fëmijë, të rritur, por edhe të moshuar përcollën mesazhet e tyre në lidhje me ngjarjen e rëndë.

Qytetarët shprehen se përgjegjës për këtë bëjnë organet e drejtësisë, ku kërkojnë marrjen e masave për parandalimin e ngjarjeve të tjera.

"Atje në atë vend nuk kishte funksionuar fare drejtësia, as për krimet e tjera sepse nuk merren parasysh denoncimet për krimet që ndodhin. Kjo monstër duhet të ishte në burg sepse kishte kryer shumë krime dhe kur nuk shkon në burg ja pasojat. Kush vret fëmijët ka vrarë veten dhe këtë shoqëri. Si mund të vritet fëmija kështu? Ky shtet nuk bëhet me drejtësi, drejtësia është marrë peng nga kjo mafie."

"Personi që krye krimin makabër në Greçalli, të gjithë e kanë ditur që ishte problematik, të gjithë e kanë denoncuar, por polcia çfarë ka bërë në këto raste?"

"Një moment makabër, nuk kam fjalë se si ajo nënë e përballon atë dhimbje. I bëj thirrje të gjitha instancave shtetërore."

Ndërkohë në qytetin e Fierit shënohet dita e dytë e peticionit për mbledhjen e firmave për rikthimin e dënimit më vdekjen.

Familjarët e Mateos prej regjistrimit të ngjarjes kanë hapur dyert e mortit.

Një ditë më parë gjykata vendosi që autorin e kësaj ngjarjeje Klodian Çalamanin ta lërë në masën e arrestit më burg e ndërsa këtë të premte ai u zhvendos në qelitë e paraburgimit në Vlorë.

38-vjeçari e kishte qëlluar me lopatë pas koke 8 vjeçarin , duke i marrë edhe jetën, dhe për të fshehur krimin ai e kishte groposur në oborr të shtëpisë.

Ngjarja e rëndë bëri jehonë në mediet ndërkombëtarë e ndërsa ra si kambanë për organet e drejtësisë

"Mos më vrit, nuk dua të bëhem një engjëll"