Berisha: Lulzim, edhe Saje Qorri shkoi në SHBA me dosjen Habilaj, ti ke dy dosje, njërën e ndan me Ballën

Afrimi i datave të dy Kuvendeve të Partisë Demokratike ka sjellë edhe ashpërsimin e deklaratave mes ish-Kryetarit dhe pasardhësit të tij.

Nga Librazhdi, aty ky mbajti foltoren e radhës, Sali Berisha bëri një deklaratë të fortë kur tha se ndaj Bashës rëndojnë dy dosje përvëluese, duke nënkuptuar se nuk ka për të shpëtuar nga ato edhe pse aktualisht ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

"Në Shtëpinë e Bardhë shkoi edhe Saje Qorri, Saimir Tahiri, shkoi me dosjen Habilaj në kurriz, ti shkon aty me dy dosje po kaq të rënda. Me dosjen Muzin dhe dosjen Toyota Yaris. Këtë të dytën e ndan me Taulant Ballën," tha Berisha.

Duke iu përgjigjur Bashës për akuzat e ngritura Berisha publikoi reagimet ndaj Suel Çelës.

"26 statuse në Facebook-un tim, e kam denoncuar më shumë se të gjitha mediat. Merrni pak Facebook0un e Lulzim Bashës, po ja ka përmendur emrin një herë. Merrni pak tabulatet e bisedave të tij me Sali Berishën duke i kërkuar aman mos ja përmend emrin, por natyrisht unë nuk ndikohesha prej tij," tha Berisha.

Mjeran e cilësoi ai Bashën duke i kërkuar të japë dorëheqjen pasi nuk e bashkon asgjë me idealet e Partisë Demokratike.

"I lutet dhe për shpirtet pengmarrësit të tij. Ma hap i kishte thënë një ditë këtë derë, se po më shajnë njerëzit kur futen nga dera kryesore. Po ik mor mjeran, jep dorëheqjen," tha Berisha.

Berisha e cilësoi jetik për PD momentin e mbledhjes së kuvendit ndërsa siguroi se firmat e delegatëve tashmë janë mbi 4 mijë e 200.