Marshim kundër dhunës ndaj fëmijëve

Nga sheshi “Skënderbej” deri në sheshin “Nënë Tereza”, u mbajt këtë të premte marshimi  për të ngritur zërin kundër dhunës ndaj fëmijëve, e për të kërkuar drejtësi për viktimat.

Qytetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile ju bashkua edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila prej andej theksoi se është kundër dënimit me vdekje dhe e vuri fokusi te mekanizma të tjera rregullues.

Për  rastet e abuzimit, dhunës ndaj fëmijëve, por edhe vrasja e 8-vjeçarit në Fier, bënë bashkë  qytetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile  për të kërkuar  marrjen e masave.

“Nuk është lënduar një nënë, por e gjithë Shqipëria” ishte një nga pankartat që shoqëroi marshimin simbolik.

Marshimit ju bashkua edhe kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla.

Nikolla: Duhet të ngejmë zërin në kohën e duhur, të raportojmë në kohën e duhur për të parandaluar sa të mundemi fenomene të tilla. Si institucion ne po bashkëpunojmë, kemi propozime që kanë ardhur për krijimin e regjistrit kombëtar të dhunuesve.Parlamenti do të punojë, do ta përdorë këtë moment për të involvuar të gjithë grupet e interesit që të kemi një proces shterues për të mundësuar nga pikëpamja ligjore dhe për ta adresuar këtë moment. Nuk mjaftojnë vetëm ligjet, ligjet duhet të zbatohen dhe duhet një ndërgjegjësim komunitar që mos të ndodhemi para ngjarjeve makabre si ajo e Fierit.

E pyetur për çështjen e kthimit të dënimit me vdekje, Nikolla u shpreh kundër, ndërsa peticionin për këtë çështje e konsideron si një nismë të marrë nga emocionet e ngjarjes.

Nikolla: Janë momente të forta emocionale dhe në momente të forta emocionale jo gjithmonë është vendimmmarrja e duhur. Shqipëria e ka adresuar një moment të tillë, është pjesë e standardeve të BE, ka nënshkruar Konventa të caktuara dhe nuk mendoj që kthimi pas në këtë vendim do të jetë gjëja e duhur për të adresuar problemet e dhunës. Ka shumë momente të tjera që ne duhet ti adresojmë dhe do ti adresojmë që të parandalojmë fenomene të tilla. Janë vendimmmarrje që nuk duhen marrë në emocione të tilla të forta që secili prej nesh ndihet.

Regjistri kombëtar i dhunuesve është një nga zgjidhjet, thonë disa qytetarë.

Ndërsa të tjerë kërkojnë dënimin me vdekje.

I nisur nga sheshi "Skënderbej",  marshimi përshkoi të gjitha institucionet kryesore ligjzbatuese dhe ligjvënëse, duke u përmbyllur në sheshin "Nënë Tereza".

Thirrja u përcoll, por nëse kanë dëgjuar institucionet, kjo mbetet për tu parë.