Rekord botëror/ Kopja e rrallë e kushtetutës së SHBA-ve shitet për 43 milionë dollarë

Një kopje origjinale, jashtëzakonisht e rrallë, e Kushtetutës Amerikane është shitur për 43 milionë dollarë në një ankand në Nju Jork, një rekord botëror për një dokument historik.

Ajo është vetëm një nga 11 kopjet e njohura të mbijetuara të Kuhstetutës së SHBA-së, e nënshkruar më 17 shtator 1787 në Sallën e Pavarësisë së Filadelfias nga themeluesit e Amerikës, përfshirë George Washington, Benjamin Franklin dhe James Madison.

Identiteti i blerësit nuk është bërë i ditur. Një grup prej rreth 17,000 investitorësh të kriptomonedhave kishin mbledhur 40 milionë dollarë për të blerë dokumentin, por nuk arritën ta siguronin atë, tha ky konsorcium.

Rekord botëror/ Kopja e rrallë e kushtetutës së SHBA-ve

Një zëdhënës i shtëpisë së ankandit Sotheby's tha se shitja për 43.2 milionë dollarë përfshirë komisionet ishte një rekord botëror.

Selby Kiffer, një ekspert i dorëshkrimeve dhe librave të lashtë në Sotheby's, tha në shtator se ky dokument ishte ndoshta pjesë e një botimi prej 500 kopjesh të shtypur në prag të nënshkrimit.

Ky ishte i vetmi që kishte mbetur në duar private, tha Kiffer.  Sipas udhëheqësve të ankandit, ky dokument është planifikuar të shitet për 15 deri në 20 milionë dollarë.