Negociatat për riatdhesimin e emigrantëve në kufijtë e BE-së, Brukseli bisedon me Bjellorusinë
Komisioni Europian do të mbajë bisedime teknike për riatdhesimin e mijëra emigrantëve të grumbulluar në kufirin midis Bjellorusisë dhe Polonisë.
Një zëdhënës i KE-së, shkroi në twitter se po koordinohet puna me OKB-në, Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin dhe Bjellorusinë, e cila duhet të sigurojë qasje në ndihma humanitare dhe strehim për emigrantët.
Ai shtoi se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, vazhdon kontaktet me njëzet e shtatë evropianët për këtë çështje.

Nga ana tjetër edhe Bjellorusia njoftoi se ka rënë dakord të organizojë “negociatat” me Brukselin për zgjidhjen e krizës, pas një bisede telefonike mes presidentit Alexander Lukashenko dhe kancelares gjermane Angela Merkel.
“Në këtë kontekst, dëshira e refugjatëve për të shkuar në Gjermani do të merret parasysh,” tha presidenca bjelloruse në një deklaratë.
Por, Berlini i interpretoi ndryshe bisedimet, duke thënë përmes një deklarate se ishte vetëm një çështje bashkëpunimi midis Minskut dhe BE-së për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të gjetur opsione për riatdhesimin.
Mijëra emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, ndodhen prej ditësh në mot të akullt dhe kushte të dëshpëruara përgjatë kufirit polak në anën bjelloruse, me shpresën se do të mund të hyjnë në BE.

Gjatë natës, forcat polake arrestuan një grup prej rreth 100 emigrantësh që po përpiqeshin të kalonin kufirin nga Bjellorusia. Videoja e publikuar nga ministria e mbrojtjes tregonte ushtarët polakë që rrethonin një grup të madh njerëzish të strukur në një zonë të pyllëzuar natën pranë telit me gjemba.


