Të gjithë fëmijët janë Mateo, gazetarja Musai: Vrasësi është fqinj me mua!
8 vjeçari Mateo Vasiu nuk jeton më. Me 16 nëntor, u masakrua për vdekje dhe u gropos në oborr nga 38 vjeçari Klodian Çalamani.
Ngjarja ndodhi në fshatin e vogël Greçalli të Fierit. Por ajo ngjarje është afër nesh, pranë fëmijës tim dhe të çdo prindi në Shqipëri.
Aq afër kanë qenë edhe rrëmbimi, dhe vrasja e Julian Çeles, në 2013-ën nga Ardian Prrenjasi. Tani është harruar...
Po aq afër njerëzve ishte ngjarja e 2007-ës , në Peshkopi kur 10 vjeçari Bekim Cenga u përdhunua, e u masakrua për vdekje nga fqinji Shpëtim Ziza. Tani është harruar…
Tani këto ngjarje janë statistika.
Institucionet përgjegjëse të cilave ne u kemi dorëzuar kontratën e shërbimeve nuk ishin aty, as në rastin e Julianit, as pranë Bekimit , e as në rastin e Mateos.
Unë kam dërguar vajzën në çerdhe e tani në kopësht. Ua kam besuar përgjegjësve të këtyre institucioneve, fëmijën tim, pa e ditur çfarë i ndodh asaj.
Ne rastin kur një moshatar i sime bije pëson fatin e Mateos, frika për sigurinë e saj është e pashmangshme.
Në rastin konkret fëmija del në oborrin e fshatit, njerëzit e të cilit presupozohet që policia duhet tua dijë të dhënat. Është policia ajo që ofron siguri përtej oborrit, në komunitet.
Por pse nuk i ka ajo të dhënat e banoreve , fqinjëve në një provincë kaq të vogël sa ç’është fshati Greçalli. Pse të dhënat tona janë vetëm në databazat e partive.
Ato dinë çdo gjë për ne për hir të votës. Për hir të jetës, asnjë autoritet s'do t’ia dije ose s'di asgjë.
