Rruga që u bë "meme", banorët e Fushë-Bulqizës: Dy korsi betoni, zgjidhën hall jete
Një rrugë në Bulqizë u bë subjekt i memeve dhe ironisë në rrjetet sociale për shkak të mënyrës së pazakontë të shtrimit me beton. Por teksa përdoruesit e aplikacioneve moderne qeshin me atë investim të vetë banorëve, këta të fundit thonë se kanë zgjidhur një problem që i ka përndjekur për vite me radhë.
Kjo rrugë në Bulqizë u kthye në meme që bënë xhiron e rrjetit për shkak të mënyrës të pazakontë që ishte shtruar.
E cilësuan si shpikje "alla shqiptarçe", ndërsa komentet me ironi shënjestruan kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla, që e reklamoi i pari.
Por banorët e lagjes “Dragu” në Fushë – Bulqizë, kanë qëndrim të ndryshëm nga ai i komentuesve në rrjet që sipas tyre nuk e njohin jetën e fshatit.
"Edhe këtë pjesën këtu, se unë e kam shumë të vështirë se nuk eci."
"Ajo copë rrugë që u bë aty në lagjen tonë, u bënë 30 vjet në atë rrugë kanë kaluar vetëm gomarë."
Thonë se balta i mbante peng dhe prej vitesh kërkonin ndërhyrje.
Ndaj kur Bashkia e Bulqizës u ofroi ndihmë të kufizuar, hallin e madh e zgjidhën vetë.
"Ne si lagje kemi bërë punën e krahut dhe e kemi shtruar."
Për të gjithë situatën e krijuar reagoi edhe kryetari i Bashkisë së Bulqizës Lefter Alla, i cili përmes Facebokut u tregon fshatin përdoruesve të Instagramit.
"Që në krye të erës e them hapur se njerëzit duhet të zbresin në realitet, me këmbë në tokë, të njohin vendin ku jetojnë, mundësit dhe pamundësitë e tij, të të afërmeve të tyre e të mos fshihen në prapaskenën e telefonave celularë që mbajnë në duar."
Bulqiza dhe fshatrat përreth saj, kryesisht në zona të thella malore vuajnë prej vitesh nga mungesa e investimeve në infrastrukturë, sidomos gjatë sezonit të dimrit.
