Vrasja makabër në Fier, Psikiatri: Personi me çrregullime personaliteti, nuk kemi psikiatri ligjore

Në një intervistë për RTV Ora, mjeku psikiatër Gentian Çala foli lidhur me vrasjen e 8-vjeçarit në Fier ku tha se vrasësi duket person me çrregullime të personalitetit.

Ai u shpreh se persona të tillë duhen menaxhuar nga strukturat spitale dhe shëndetësore, duke gjetur një zgjidhje për ata që kryejnë krime të tilla të rënda penale.

Çala: Duke parë ato që janë transmetuar në media, kemi të bëjmë me një person që ka karakteristikat e një personi me qasje antishoqërore. Mënyra se si është rritur dhe aktet e tjera që ka kryer në të shkuar dhe si është kryer krimi makabër, po t’i bësh bashkë këto gjëra, të bën të mendosh se kemi të bëjnë me një person me të dhëna anti-sociale. Të gjitha shoqëritë sot ka njerëz që kanë probleme të shëndetit mendor dhe shpeshherë e kalojnë një pjesë të jetës së tyre mes burgut dhe spitalit psikiatrit. Ata janë persona që duhen menaxhuar nga strukturat spitale dhe shëndetësore. Këto janë nga ato raste që edhe kur merren nga rastet e duhura, janë shumë të vështira për tu parandaluar.

Ne duhet tu japin një zgjidhje të sëmurëve mendore që kanë kryer krime penale, duke krijuar qendra ambulatore dhe duke krijuar kushtet e nevojshme. Po ashtu duke krijuar një hartë rreziku sepse brenda këtyre të sëmurëve mund të ketë persona me një rrezik permanent. Në vendin tonë ne kemi spitale burgjet fatkeqësisht, pasi ne nuk kemi një psikiatri të mirëfilltë. Bota ka edhe qendra për të sëmurët mendorë që kryejnë vepra penale. Në Shqipëri jemi akoma mbrapa dhe kemi vetëm spitalin e burgut të Zaharisë dhe nuk kemi një psikiatrie ligjore të mirëfilltë. Këtu ka rol edhe vendimmarrja politike, po ashtu ka edhe kosto.

Çala shtoi se psikiatria ligjore nuk ka shërbime dhe se dënimi me vdekje për krime të tilla nuk kanë sjellë rezultate efikase në parandalimin e tyre.

Çala: Kam dëgjuar shumë deklarime këto ditë duke thënë edhe se nuk ka psikiatër. Në fakt në vendin tonë ka mjaft psikiatër dhe që janë të talentuar. Ndërsa te psikiatria ligjore nuk ka shërbime dhe duhet të ketë shërbime të profilizuara. Nuk besoj se dënimi me vdekje nuk është i dobishëm. Këtu futet edhe studimet e vendeve që e zbatojnë këtë masë e cila nuk ka qenë aspak efikase në raport me krime të tilla. Të gjitha thirrjet për dënimet me vdekje mua më duket se kanë një irrocionaliteti i cili them që duhet shqyrtuar me shumë vëmendje sepse janë zgjidhje përjashtuese dhe të parikthyeshme.