"Data 18 dhjetor është antikuvend dhe një përgjigje e ulët", Floriana Garo: Basha ka mbështetjen e Ramës

Ish-zëdhënësja e fushatës së PD, Floriana Garo ka treguar për Ora News se PD-së i duhet rikthimi i zotit Berisha.

E ftuar në studion e Ora News, me gazetarin Arnold Kariqi, Garo u shpreh se PD-së i duhet një lider dhe PD ka shumë elementë të mirë që mund t'i sjellin këtij vendi ndryshimin, sipas saj.

Garo: Unë pashë në Foltore gjithë ata të rinj të edukuar, të hapur, të shkolluar, por që i ka munguar një lider. Jo sepse nuk mund të shfaqet një lider mes të rinjve, sigurisht që mund të shfaqet, por sistemi politik në Shqipëri e ka bërë shumë të vështirë. Një lider me eksperiencë si zoti Berisha duhet për ta udhëhequr këtë lëvizje.

E pyetur nëse zoti Basha nuk ishte një lider, por thjesht një kryetar, Garo pohoi në studio.

Garo: Me sa pashë unë po! Atmosfera në partinë e zotit Basha nuk ngjall shpresë dhe kjo është shumë e dukshme.

Basha në një intervistë ekskluzive dhënë ditën e sotme për Ora News hodhi akuza së "Foltorja" nga një vend ku mblidheshin demokratët është kthyer në një strehë për shumë persona të inkriminuar. Madje sipas tij edhe për disa persona që kanë mbështetur Ramën në fushatë. Zonja Garo i hodhi poshtë akuzat e Bashës duke thënë se nuk qëndrojnë fare.

Garo: Unë mendoj që PD zyrtare, pakica sepse kanë ngelur kaq pak, sa që po gjen çdolloj forme për ta përbaltur "Foltoren." Kanë ngelur shumë pak njerëz te Basha. Zoti Basha nuk po del nga zyra që t'i takojë njerëzit. Ku janë këta njerëz? Njerëzit janë të gjithë në "Foltore."

Datën 18 dhjetor, të cilësuar si ditën e mbledhjes së kuvendit legjitim nga zoti Basha, Garo e cilësoi antikuvend.

Garo: Data 18 është antikuvend, nuk ekziston. Është antikuvend sepse është thjesht një mënyrë e shëmtuar imitimi për të bërë një antimiting, një kundërpërgjigje kaq të ulët sepse dëshira dhe vullneti i demokratëve është shprehur me grumbullimin e 4200 firmave. Ky është kuvendi i vërtetë i PD. Nuk do ketë përçarje të demokratëve, ne jemi për t'i bashkuar demokratët, jemi për të ecur përpara më të fortë, por tashmë me një kryetar të ri.

Zonja Garo u shpreh se me humbjen e PD më 25 prill, u demoralizuan të gjithë njerëzit pasi kishin parë 8 vjet vetëm shkuarje për poshtë të Shqipërisë, jo ngjitje.

Garo: Donim ta kthenim shpresën dhe me PD, por PD nuk ishte me liderin e duhur që të na bënte të fitonim.

Garo tha se përveç vulës dhe mbështetjes së SHBA-së, Basha ka dhe mbështetjen e Ramës.

Garo: Është e dukshme! Basha është kthyer si Rama tani, po flet me gjuhën e tij, kështu që patjetër ka mbështetjen e qeverisë, të zotit Rama dhe ka me vete këtë vulë që po e mbron shumë fort sepse e ndjen këtë siguri.

Në fund, Garo u shpreh me bindje se zoti Berisha do t'ia dalë sepse ka me vete të gjithë demokratët dhe PD do fitojë.

Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Xhuljana Zhuleku