'S'kam kohë për të folur për vrasjen e Mateos’, reagon Muzhaqi: U keqkuptua! Ja cila është detyra ime

Ministrja për fëmijët dhe rininë Bora Muzhaqi, ka reaguar pas lajmit se ka shmangur median kur është pyetur në lidhje me ngjarjen horror në Grecalli të Fierit, para dy ditësh, ku Klodian Çalamani, rrëmbeu, vrau dhe groposi, 8-vjeçarin Mateo Vasiu.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Muzhaqi është shprehur se deklarata e saj është keqkuptuar, ndërsa shton se detyra e saj funksionale është të merret me programet jashtëshkollore dhe se për ngjarjen nuk iu duke e udhës të jepte një opinion personal.

“Ndjesë nëse kam lënë shteg për keqkuptimin e kujtdoqoftë që ka pritur një përgjigje tjetër nga unë, përballë disa mediave të cilat m’u gjendën përballë duke shkuar për një tjetër takim pune.

Jam thellësisht e prekur si të gjithë nga tragjedia e Fierit dhe besoj se gjithçka mund të bëhet më tutje për adresimin e çështjeve të pyetjes, do të bëhet, ashtu si duhet, nga institucionet. Detyra ime funksionale është angazhimi me programet jashtëshkollore të nxënësve e studentëve, si dhe programet e aktiviteteve për fëmijët në komunitet. Prandaj dhe nuk m’u duk e udhës të jap një opinion personal mbi fusha të tjera specifike për të cilat m’u drejtua pyetja.

Ndërsa për sa i takon sarkazmës politike apo mediatike me tragjedinë, nuk kam asnjë koment. E kam neveritur gjithnjë lojën publike me dhimbjen e shkaktuar prej tragjedive. Por sot e provova shijen e saj drejtëpërdrejtë. Vdekja e dhunshme e një fëmije nuk mund të jetë kurrë arsye për të luajtur me njeri-tjetrin. Ndjesë edhe njëherë atyre që kanë keqkuptuar përgjigjen time.”- u shpreh Muzhaqi.