Tiranë, policia arreston vëllezërit që shisnin kanabis, në pranga dhe taksisti i kokainës
Tre persona, dy prej tyre vëllezër, kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës për shpërndarje të lëndëve narkotike të llojit kokainë dhe cannabis sativa.
Blutë arrestuan shtetasit G. H., 25 vjeç dhe A. H., 20 vjeç (vëllezër).
Sipas policisë, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin siguronin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa dhe më pas e shisnin atë në doza të vogla, në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, këtyre shtetasve iu gjet e iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale lëndë e dyshuar cannabis sativa, 1 peshore elektronike, fishekë luftarakë, 1 dorezë metalike, dy aparate celularë, 1 patentë dhe kartë ID të dyshuara të falsifikuara.
Gjithashtu, po në kuadër të operacionit “Braka” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. J., 39 vjeç, i cili merrej me shitje të lëndës narkotike të llojit kokainë në zona të ndryshme të Tiranës, duke e kamufluar aktivitetin e tij kriminal, me një mjet taksi që kishte në përdorim.
Gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjetën doza me lëndë narkotike kokainë dhe një shumë parash, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale bashkë me mjetin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i vizave ose i pasaportave”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”.

