Thumanë -Milot, rruga e aksidenteve, drejtuesit e mjeteve: Është katastrofë, ndodhin çdo ditë vdekje

Mungesa e sinjalistikës për kalimin nga dy në një korsi dhe errësira gjatë natës e kanë kthyer nyjen lidhesë të aksit Thumanë-Milot me superstradën Milot Lezhë në një njollë të zezë aksidentesh.

Policia Rrugore e Lezhës thotë se në vazhdimësi ka kërkuar ndërhyrje, por ARRSH nuk ka marrë asnjë masë.

Pika lidhëse e autostradës Thumanë-Milot me superstradën Milot-Lezhë është kthyer në burim aksidentesh.

Në këtë vend pranë Fushë-Milotit, mungon sinjalistika që të paralajmërojë ngushtimin e rrugës nga 2 në 1 korsi Rreziku është më I madh gjatë natës, pasi përgjatë rrugës ka mungesë ndricimi!

Në këto kushte aksidentet janë të shumta, ndërsa pjesët e mjeteve të dëmtuara janë dëshmi.

Banor të zonës e drejtues mjetesh kërkojnë që të merren masa të menjëhershme për ti dhënë zgjidhje kësaj problematike e cila vijon prej 4 vitësh.

"Sidomos për të huajt që vijnë është shumë e rrezikshme, nuk ka asnjë lloj sinjalistikë. Njerëzit po përplasen për ditë. Duhet të vejë dorë shtetit. Është katastrofë. Nuk ka asgjë, as sinjalistikë asgjë. Vdekje ndodhin çdo ditë", shprehen drejtuesit e mjeteve.

Burime nga Policia Rrugore në Lezhë bëjnë me dije se përmes shkresave i është kërkuar disa herë Autoritetit Rrugor Shqiptar, në plotësimin e parametrave të sigurisë rrugore në këtë pikë, por deri tani asnjë masë nuk është marrë.