Berisha: Rama e shtyn Bashën në verbëri, por janë lojëra të rrezikshme! Përgjegjës do jetë pengmarrësi dhe pengu i tij
Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë ditën e sotme, 15 nëntor u shpreh se revolucioni paqësor i mijëra demokratëve do të merret me pengmarrësit dhe pengun dhe asgjë nuk mund të ndalë.
I pyetur nëse i druhet një lëvizjeje të Bashës për të ndryshuar kryetarët e grup seksioneve në mënyrë që të bëhet një Kuvend tjetër në 18 dhjetor, Berisha tha se ditët në vazhdim janë të revolucionit demokratik dhe Basha nëse nuk shkon në 11 dhjetor në Kuvend e përjashton veten nga Kuvendi.
Ai gjithashtu paralajmëroi Ramën që të mos luajë me pluralizmin.
Berisha: Revolucioni paqësor i dhjetëra-mijëra demokratëve do të merret me pengmarrësit dhe pengun. Asgjë nuk mund ta ndalë atë, Lulzim Basha duhet të vijë në datë 11 në Kuvend. Nëse nuk vjen përjashton veten nga Kuvendi, jo nga partia. Por në ditët në vazhdim janë të revolucionit demokratik paqësor. Paralajmërimi për Edi Ramën është shumë i fortë, mos luaj me pluralizmin, e bleve, e shkatërrove, bëre siç deshe, tani ai po rivendoset në mënyrë absolute të pashmangshme. Po! Ndaj dhe këtu Basha është peng, formulat të gjitha i jep Rama. Rama e shtyn atë në verbëri, të deklarojë për njerëz që kanë firmosur për idealet e tyre se janë llum. Rama e shtyn me idenë diabolike të dublimit, të kopjes por këto janë lojëra të rrezikshme dhe përgjegjës kryesor do të jetë Edi Rama dhe pengu i tij do të marrë përgjigje.
A po e çon ky vendim Partinë Demokratike drejt Ndarjes?
Berisha: Në fakt po e çon drejt bashkimit sepse demokrat në Shqipëri që pranon një akt të pabesë si ky që mendon t'i bëjë peng Basha Kuvendit Kombëtar nuk ka. Ky akt do bashkojë dhe më shumë demokratët.
Berisha u shpreh se ekziston një gjendje revolucionare në radhët e demokratëve. Ata janë shndërruar në misionar të shpëtimit të pluralizmit politik sipas zoti Berisha dhe nuk ka asgjë që mund ta pengojë këtë mision.
