Shtëpi "Londre" në Shqipëri, Velmishi: Policia po bashkëpunon me OSHEE
Fenomeni i kultivimit te kanabisi sativa në ambiente të mbyllura po praktikohet prej kohësh edhe në Shqipëri. Rastet e përsëritura në disa qytete kanë bërë që Policia e Shtetit të bashkëpunojë më Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrikë më qëllim goditjen e këtij fenomeni.
Rezart Velmishi, shefi i narkotikëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë thotë për Ora News se përgjatë këtij viti ka pasur informacione për këtë fenomen teksa janë arrestuar 23 persona.
"Bashkëpunimi me OSHEE prej kohësh është i vendosur dhe nga ana e tyre është shumë bashkëpunues, por nuk duhet të përjashtojmë rastet kur ne kemi referuar në Prokurori specialistë apo punonjës të OSHEE pasi nuk kanë raportuar, nuk kanë informuar strukturat përkatëse për sa i përket konsumit të pajustifikuar të energjisë elektrike," tha Velmishi.
Po ashtu sipas Velmishit gjatë operacioneve për zbulimin e tyre pajisjet që trafikantët përdornin për rritjen e bimës kanë rezultuar të importuara nga jashtë vendit dhe me një kosto të madhe.
"Infrastruktura e përdorur e gjetur në këto ambiente, pra llambat, gjithë ato pajisje që shërbejnë për kultivimin e lëndës narkotike na ka rezultuar që është importuar," tha ai.
Nisur edhe nga periudha kohore ku bimët narkotike po bëhen gati për shitje, policia ka ndërmarrë edhe aksione për arrestimet e trafikanteve.
"Për 9-mujorin e parë të viti 2021 në total ne kemi 614 shtetas apo persona të dyshuar të arrestuar apo të referuar në Prokurori për veprën penale të kultivimit të lëndëve narkotike," shtoi Velmishi.
Në 9 muajt e këtij viti, vetëm në kryeqytet nga sektori i narkotikëve janë finalizuar 40 operacione që çuan në sekuestrimin e 60 kg kanabis sativa 5 kg kokainë, 397 gram heroinë si dhe një sasi të konsiderueshme të farave dhe kubikëve.
