Debati në kryesi, Vokshi: ‘18 dhjetori’ ilegjitim, Paloka: Hajdeni numëroni firmat! Alizoti: Bashkoni PD-në!

"Unë do i propozoja të dyja palëve të caktonin nga një person që merren me problemet e zgjedhjeve dhe organizimit në PD, mund të ishte për njërën palë Ivi Kaso, për palën tjetër mund të ishte Ervin Minarolli," tha Paloka.  

Kjo është zgjidhja që kryetari i këshillit kombëtar të Partisë Demokratike  i ofroi dy figurave të larta të selisë blu kryetarit Lulzim Basha dhe paraardhësit të tij në detyrë Sali Berisha.

Tentativa për negociata ka zgjatur pak, pasi rreth orës 16:00 në selinë e PD nisi mbledhja e kryesisë, në të cilën u diskutua pikërisht nisma e 4200 delegatëve për mbledhjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm në datën 11 dhjetor, datë e cila shënon dhe ditën e themelimit të kësaj force politike.

Si kundërpeshë, në takim Basha ka propozuar një thirrje të Kuvendit në datën 18, duke shtuar se nisma e Berishës është kundër SHBA dhe përçan PD.

Madje para anëtarëve të kryesisë ai ka akuzuar se Aqif Rakipi, Suel Çela, Rrahman Rraja e Tom Doshi janë angazhuar për të mbledhur firmat e delegatëve të PD ne emër të Berishës. Madje Basha ka theksuar se qëllimi i Berishës është për të përçarë votat e së djathtës në zgjedhjet e radhës.

Tonet ne mbledhjen e PD nuk kanë qenë të qeta. Akuzave të Bashës, Edi Paloka i është përgjigjur me thirrjen për të ngritur padi në Prokurori.

Ndërsa Albana Vokshi e ka konsideruar ilegjitime mbledhjen e kryesisë duke theksuar se ka me shume te emëruar se te zgjedhur, ndaj ka kërkuar respektimin e mbledhjes së Kuvendit në 11 dhjetor.

Vokshi: Vendimi që do marre kryesia është ilegjitim, se partia ka me shume te emëruar se te zgjedhur.

Më tej Paloka edhe një herë ka kërkuar bisedime mes palëve duke u dhënë mundësinë që të vlerësojnë firmat e mbledhura.

Edhe Tomor Alizoti ka kërkuar uljen e tensioneve duke u bërë thirrje të dy palëve të nisin diskutimet me qëllim për të bashkuar partinë.

Alizoti: Bashkoni partinë Demokratike!

Por akuzat për përfshirjen e Suel Çelës kanë sjellë deri në prag të përplasjes fizike.

Aldo Bumçi ka reaguar kundër deklaratave, ndërsa Jemin Gjana ka akuzuar ministra e renditur në krah të Berishës së janë bërë milionere.  Ndërkaq Flamur Noka i ka kërkuar Bashës të flasë me emra se cilët delegatë janë kërcënuar.