Mediu mërzitet me "teatrin" në Kuvend, Balla sherr me Dumën: Nuk flet dot një deputet se bën zhurmuesin ti apo "G" tjera

Zbatimi i rregullores së Kuvendit përplasi në debat kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla me deputeten demokrate Grida Duma.

Balla i kërkoi kryeparlamentares Nikolla që të marrë masë disiplinore ndaj deputetëve që bëjnë zhurmuesin në Kuvend.

Për këtë ai ju referua deputetëve të opozitës, të cilët tha ai e ndërprenë Ramën në tre herët që mori fjalën.

Zbatim të rregullores kërkoi edhe Fatmir Mediu për ti dhënë fund siç tha ai teatrit në Kuvend.

Fatmir Mediu: Kjo histori që kryeministri flet sa herë të dojë, histori batutash që zhvlerëson fjalën nuk mund të vazhdojë kështu. Duhet të vendosim një rregull sa herë flitet dhe kush flitet ndryshe gjithë pjesa tjetër do të shndërrohet në një lloj teatri. Të vendosim  një rregull sa herë çohet kush dhe sa herë flet qoftë ky dhe kryeministri i vendit.

Taulant Balla: Rregullorja thotë se fjala jepet kur e jep drejtuesi i seancës dhe ndodh që çohen pa ju dhënë fjalën.Nuk di që ku flisnin  ju Basha ndonjë deputet i PS të bërtasë, thërrasë, të çohet në këmbë. Shoqërohen me masa disiplinore.Ti mbaje te trau, vazhdo dhe bërtit për traun.

Grida Duma replikon nga vendi.

Balla: Ka nevojë për respekt të ndërsjelltë.

Duma: Flasim  ne dhe ju nuk flisni kur flet kryetari i opozitës?

Balla: Të lutem, nuk replikoj me ju zonjë. Jam duke lexuar nenet e rregullores. Më vjen keq që një zonjë si puna juaj vazhdon të bëjë zhurmuesin. Siç ke hyrë do dalësh nga salla por mirë është të lexosh rregulloren. Zonja kryetare, zonja është duke thyer rregulloren. Kërkoj nga ju të merrni masë disiplinore për zonjën që nuk lë të flasë një deputet për procedurë, 2 minuta është fjala për procedurë. Ti je prova më e mirë e faktit  që në këtë Kuvend nuk flet dot një deputet sepse ndërhyn një zhurmues si puna jote apo "G" të tjera që bëjnë zhurmë. Kjo seancë duhet të ndërpritet, të merret masë ndëshkimore për njerëz që nuk dinë të respektojnë rregulloren dhe pastaj të vazhdojë seanca. Nuk ka më kuptim. Kryeministri, çdo anëtar i qeverisë dhe çdo deputet ka të drejtë të flasë sipas kohës të përcaktuar. Kryeministri dhe kryetari i opozitës kanë kohë të barabartë. Kur foli kryeministri në tre herët ju ndërhytë. Kur foli kryetari i opozitës asnjë deputet i PS nuk replikoi nga vendi.Lexoni rregulloren.