Sulm me eksploziv në Dukagjin, shpërthim në lokalin e Gjin Gurit që sulmoi policinë për kanabisin
Një shpërthim me lëndë plasëse artizanale u shënua në një lokal në rrugën e fshatit Shosh në Shkodër.
Siç njofton policia e Shkodrës, objekti është në pronësi të shtetasit Gjin Guri.
Ky i fundit është një personazh i njohur për blutë e qarkut verior, pasi ka qenë i arrestuar për disa vepra penale.
Gjin Guri, rezulton se ishte pjesë e të ashtuquajturit “Grupi i Zjarrit” që qëlluan ndaj policisë dhe rrëzuan një helikopter "Cougar" me vlerë 12 milionë euro, gjatë aksionit anti-kanabis të vitit 2014 në Dukagjin.
Ai dyshohej si kultivues i kanabisit, dhe për të shmangur kontrollet në parcelat e tij, qëlloi drejt efektivëve.
Gjin Guri u kap në vitin 2015 në banesën e tij në fshatin Shosh të Dukagjinit, pas një operacioni nga FNSH e Shkodrës.
Asokohe 38 vjeç, ai ishte dënuar me vendim të formës së prerë me 7 vjet e dy muaj burg për "Prodhim dhe mbajte pa leje të Armëve luftarake" dhe "Kanosje".
Duke iu rikthyer ngjarjes, mësohet se nga shpërthimi në lokalin e Gjin Gurit nuk pati persona të lënduar por vetëm dëme materiale.
Policia e Shkodrës ka dërguar një grup të posacëm hetimor në zonën e thellë të Dukagjinit për të verifikuar sulmin me eksploziv.

