Buxheti 2022, Kuvendi nis sot seancën maratonë, priten përplasje PS-PD

Sot Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në një seancë maratonë për të diskutuar ligjin kryesor të vendit, “buxhetin  për vitin e ardhshëm” .

Projekt-buxheti në muajt e fundit ka mbajtur peshën e debatit politik, duke prodhuar debate dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.

Partia Socialiste flet dhe projekton të dhëna pozitive në ekonomi, ndërsa sipas tyre buxheti i përgjigjet situatës së krijuar nga pandemia, tërmeti e së fundi edhe kriza energjitike përfshirë rritjen e çmimit të hidrokarbureve. 

Qeveria zotohet për ulje të borxhit publik në nivelin e 78.9%, pas rritjes së tij në 80%. 

Gjithashtu parashikohet rritja e të ardhurave ndërsa qeveria thotë se do të ndihmohet ecuria pozitive e aktivitetit ekonomik në vend, mirëadministrimit fiskal si dhe në uljen e informalitetit në ekonomi.

Sa i takon shpenzimeve, ato do të mbështesin një sërë investimesh publike me në fokus procesin e rindërtimit dhe projekte të tjera infrastrukturore në ndërtimin e rrugëve, aeroporteve, investime në ujësjellës kanalizime si dhe në sektorë të tjerë.

Ndër të tjera, projektbuxheti 2022 parashikon rritje të pagave për arsimtarët e mjekët, si dhe indeksim të pensioneve. 

Në bazë të njoftimit të Kuvendit, seanca do të mblidhet në orën 10 të kësaj të hëne, 15 nëntor, dhe do të vazhdoje edhe në datën 16 nëntor deri në miratimin në parim të buxhetit. 

Buxheti për vitin e ardhshëm është në masën 537 miliardë lekë. 

Dokumenta bashkëngjitur