Rama hap kantierin e tunelit të Llogarasë: Shumë shpejt nisin punimet dhe për portin dhe aeroportin e Vlorës

Më në në fund  butoni u shtyp. Ky moment shënoi në këtë mënyrë simbolike nisjen e punimeve për tunelin e Llogarasë, projekt i hershëm i shtyrë disa herë për shkak të procedurave të tenderimit. 

Ai parashikohet të jete 5.9 km e shkurton kohë ne udhëtim. Nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës.  

Kryeministri Rama nga kantieri i ndërtimit numëroi dekadat e pluhurosjes së projektit.

 “Një nga kryefjalët e premtimeve të të gjithë atyre që kanë kaluar nga këto anë në fushata elektorale gjatë tre dekadave dhe ndryshe nga të tjerët, ne zotimin tanimë e kemi futur në rrugën e jetësimit në realitet.”

Projekti do të realizohet nga një konsorcium turk i cili fitoi tenderin me fond limit 18.9 miliard lekë duke ofruar 17 miliard lekë.

Sipermarrësit  kanë afat 37 muaj që të përfundojnë tunelin ndërkohe kryeministri  Rama lajmëroi se për çështje ditësh do të hapet dhe kantieri për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës.

"Ajo që është shumë elementare dhe nuk do ishte nevoja të shpjegohej është që pikërisht të gjitha këto rezultojnë në një ekonomi shumë më të fortë, në të ardhura shumë më të larta, në një mundësi rishpërndarjeje shumë më të madhe që do të thotë shumë më tepër për njerëzit, që do të thotë paga më të larta dhe shumë më tepër vende pune dhe të paguara shumë më mirë. Për pak ditë më në fund, pas një kalvari të vërtetë ne do të bëjmë të njëjtën gjë si sot, duke ngritur kantierin e aeroportit drejt Vlorës.

Do të jetë një aeroport ndërkombëtar, do të jetë një aeroport i cili do të sjellë vlerë të shtuar si një aeroport i një kategorie të lartë, ndër më të lartat sipas standardeve europiane, që do të ofrojë fluturime kudo, edhe kapacitet fluturimesh transoqeanike dhe shërbime të cilat ende sot nuk i ka aviacioni civil shqiptar që do të jenë të mundura dhe në aeroportin tjetër Nënë Tereza, falë një investimi tjetër që fillon nga ai aeroport në pistë që sot e bën të pamundur vendosjen e fluturimeve direkte me SHBA dhe vende të tjera jashtë Europës.

Një port për jahtet që përsëri është një tjetër motor për ekonominë e vendit. Këto janë të gjitha ‘fabrika buke’ që sjellin hallka të reja të zinxhirit të vlerës. Në portin turistik të Vlorës do ketë shumë shërbime që do i kryejnë vendasit që do të thotë do ketë shumë vende pune, fluks të shtuar njerëzisht që do vijnë për të dalë, për të shëtitur, për të ngrënë, për të fjetur dhe do të sjellin para".