Gjanica, naftë e vaj “më shumë” se ujë, banorët për ndotjen e lumit: Po na vrasin çdo ditë

Ndotja e lumit Gjanica nga kompanitë e naftës dhe fabrikat e vajit mbetet krim pa ndëshkim në Fier. 332 inspektime janë kryer gjatë këtij viti, por pjesa më e madhe e gjobave të vëna për subjektet e kapura në shkelje nuk janë paguar pasi janë apeluar. Banorët që jetojnë përgjatë Gjanicës thonë se ndotja po i vret çdo ditë nga pak.

Ngjyra e zezë dhe vezullimi i Ujit të Lumit Gjanica në zonën e njohur si Ofiçina e vjetër në Patos janë dëshmia e përzierjes me mbetje hidrokarbure që derdhen nga kompanitë e përpunimit të naftës.

Banorët që jetojnë përgjatë lumit më të ndotur në vend, thonë se po i vrasin çdo ditë nga pak.

“Nuk hap dot derën e portës sepse vjen era, naftë, gaz. Na helmuan, po na vrasin."

Në këtë periudhe të vitit, krahas hidrokarbureve ndotjen e shtojnë edhe mbetjet e fabrikave të përpunimit të vajit të ullirit që operojnë në zonë

“Ky lum ka qenë i ndotur gjithmonë që kur ka qenë uzina.”

 

Teksa Kompanitë e naftës e fabrikat e vajit ndotin ujin, për ambientin fajtorë janë vetë banorët dhe pushteti vendor.

Disa zona përgjatë shtratit të lumit janë kthyer në vendgrumbullime mbetjesh.

“S’kanë bërë asgjë”

Në maj të këtij viti  Policia e Shtetit dhe Inspektoriati Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit ngritën një task forcë në për monitorimin e situatës.

Përgjatë këtij viti raportohet se janë kryer332 inspektime dhe janë evidentuar 9 burime të ndotjes.

Kompania ‘Anio Oil’ u gjobit me 1 mln lek dhe 60 ditë pezullim për derdhje të pakontrolluar të ujërave teknologjikë. Por pjesa më e madhe e gjobave apelohen dhe thuajse nuk janë vjelur kurrë, ndërsa kompanitë e naftës dhe fabrikat e vajit vijojnë të ndotin Gjanicën.