Malltezi: Yuri Kim ‘kukull’ e Sorosit, po mbron korrupsionin që po bëhet në Shqipëri

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, njëkohësisht dhe dhëndrri i ish-Kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi ka komentuar për herë të parë shpalljen ‘Non Grata’ nga SHBA të liderit historik të PD.

Në një intervistë për Ora News, ai është shprehur se ky vendim ka qenë lobim korruptiv i Kryeministrit Edi Rama dhe filantropit amerikan George Soros. 

Jamarbër Malltezi: Kjo vendimmarrje ka qenë një vendimmarrje korruptive, si pasojë e një lobimi korruptiv të Edi Ramës dhe George Soros. Nuk është e çuditshme sepse para tre vitesh Rama në 31 Janar, deklaroi se Sali Berisha nuk e kalon dot Atlantikun. Berisha ishte i pari politikan brenda dhe jashtë Shqipërisë që sensibilizoi të gjithë opinionin publik dhe opinionin ndërkombëtar. Ky fondacion donte të bënte shoqëri të pastër etnike. Rama ka marrëdhënie të shumëllojta me Sorosin.

Malltezi, Sorosin e konsideron si ‘kancer’ që vjedh naftën shqiptarëve, ndërsa shton se drejtësinë dhe shoqërinë civile e ka vendosur në duart e Edi Ramës.

Jamarbër Malltezi: Sorosi është një kancer sepse është personi që po vjedh naftën e shqiptarëve. Sa përqind e të ardhurave të naftës shkojnë tek shqiptarët?! Shkojnë tek xhepat e Sorosit. Sorosi i jep pastaj para Edi Ramës.

Se dyti: Po ndot zonat e mbrojtura mjedisore.
Se treti: Kapi të gjithë shoqërinë civile në duart e një force politike, PS.
Se katerti: Kapi të gjithë drejtësinë dhe vuri një drejtësi të kapur në duart e PS.
Se pesti: Tentoi, fatmiresisht pa rezultat, të amputonte pjesë të kombit.
Për të gjitha këto arsye Sorosi duhet shpallur si kancer dhe duhet luftuar si kancer.

Malltezi thotë se Berisha po i bën një nder shumë të madh shtetit ligjor.

Jamarbër Malltezi: Djali i Sorosit është pjesë e Network-ut për të dominuar botën përmes lidhjeve korruptive. Berisha po i bën një nder shumë të madh shtetit ligjor dhe demokracisë. Shteti ligjor do të thotë se palët përballen në gjykata. Por pa prova dhe pa gjykata i bie thjesht shpifje. Sorosi për fat të keq ka kapur shumë politikanë të lartë.

Përsa i përket deklaratës së ambasadores së SHBA, Yuri Kim se nëse Berisha merr drejtimin e PD, SHBA do shkëpusë marrëdhëniet me këtë forcë politike, Malltezi tha se diplomatja është kukull e Sorosit.

Ai shtoi se ambasadorja po mbron korrupsionin që po bëhet në Shqipëri.

Jamarbër Malltezi: Kukullat e Sorosit janë kukullat e Sorosit, le t’i shpjegojnë vetë fjalët që lëshojnë. Përderisa Kim mbron korrupsionin e qeverisë, drogën e qeverisë, del me Sorosin e nuk ndihet fare për skandalet më të rënda të korrupsionit masiv të kësaj qeverie, del në livadhe me gazetarët e Edi Ramës, më vjen keq por ajo e ka deklaruar vetë se çfarë është.

PD është partia që lidhi marrëdhëniet më të mira me SHBA. Çështja e lobimit të Sorosit ka marrë dhenë dhe është në të gjithë mediat ndërkombëtare, në Amerikë dhe në Evropë.

PD ka miq dhe aleatë të pafundmë. Berisha, si prijësi i PD-së vijon të ketë miq e aleatë kudo. Ai ka zgjedhur rrugën ligjore që të përballet në Gjykatë. Dhe fakti që nuk ka asnjë provë dhe fakte, tregon se kjo ka qenë jo vetëm blof, por një shërbim masiv që i bëhet Sorosit dhe Ramës, por nuk i bën mirë vendit.  Ambasadorja po mbron korrupsionin dhe drogën që po bëhet në Shqipëri. 

Intervistoi gazetari Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.