Putin: Rusia s'ka faj për krizën e emigrantëve
Rusia nuk i pranon aludimet e disa shteteve se po e orkestron ajo krizën që ka bllokuar qindra emigrantë nga Lindja e Mesme në kufirin polako-bjellorus.
Është Polonia që e ka shtyrë idenë se Kremlini po punon me Bjellorusinë për ta rënduar qëllimisht situatën për të vënë nën presion Bashkimin Europian.
"Të gjithë duhet ta dinë se nuk kemi, absolutisht, lidhje me këtë. Krizat migratore janë probleme që Perëndimi, edhe shtetet europiane, i kanë hapur vetë," tha presidenti rus Vladimir Putin për televizionin shtetëror.
Emigrantët janë kryesisht kurdë të cilët prej ditësh po jetojnë në një kamp provizor brenda Bjellorusisë, duke duruar temperaturat e ulëta të dimrit.
Njëri u gjet i vdekur në pyll orë më parë.
Autoritetet bjelloruse thonë se ka 2 mijë veta në kamp, gra shtatzënë dhe fëmijë, ndërsa Polonia llogarit mes 3 dhe 4 mijë emigrantëve në kufi.
Dyshohet se numri po rritet me refugjatë irakianë, sirianë e jemenas që Bashkimi Europian thotë se kanë kohë që vijnë me avion përmes Turqisë.
Itinerari për këta shtetas është bllokuar tashmë, dhe nga zyra e presidentit Rexhep Taip Erdoan, këshilltari i tij thotë po ashtu se Ankaraja nuk ka faj.
"Kriza e fundit e emigrantëve ilegalë në Bjellorusi, Poloni, Lituani dhe në disa shtete europiane, nuk ka të bëjë fare me Turqinë. Është e pavend të fajësohet edhe kompania ajrore turke."
Në kufirin polako-bjellorus ka tensione dhe secili shtet ka pozicionuar me mijëra trupa për të ndalur rrjedhën e emigrantëve ose skenarin e një sulmi.
Shqipëria dhe disa shtete e kanë qortuar Bjellorusinë se po i instrumentalizon emigrantët dhe po cenon stabilitetin rajonal./ORA Newws/




