Pastrimi i parave të “Cosa Nostras” Kreu i antikrimit italian: Sasia e sekuestruar 23 mln euro

Kreu i Antikrimit Italian Francesco Messina zbardh skemën e pastrimit të parave mes Shqipërisë e Italisë për llogari të Cosa Nostras siciliane.

Ai bën me dije se nyja lidhëse e këtij hetimi ishte një ekonomist italian që kish fshehur e favorizuar pastrimin e parave të Cosa Nostras në Shqipëri.

Shuma e sekuestruar e këtij procesi riciklimi parash ishte rreth 23 milionë euro sipas tij, duke theksuar se këto para kishin mundur t'i shpëtonin konfiskimit të hetimit të mëparshëm të Palermos.

Francesco Messina: Policia italiane e shtetit me kërkesë të Prokurorisë së Palermos ka ekzekutuar dy urdhër arresti me burg ndaj dy personave të vënë në hetim për bashkëpunim të jashtëm në aktivitet mafioz. pastrim e vetëpastrim parash, e transferim mashtrues kapitalesh. Janë hetime shumë komplekse të Shërbimit investigativ operativ në bashkëpunim me forca të tjera të rendit e në vecanti me Guardia di Finanza që ka vepruar nën delegimin e Prokurorisë së Napolit. Hetimeve i është bashkuar dhe puna e Prokurorisë speciale Antikorrupsion e Antikrimit Shqiptar që kanë çuar në përfshirjen e 5 personave në Shqipëri dhe 8 personave të tjerë në Napoli.

Hetimet kanë zbardhur praninë e një ekonomisti italian me aktivitet mes Milanos e Palermos duke bashkëpunuar e ka favorizuar mafien siciliane Cosa Nostra, duke arritur të fsheh 23 milionë euro që kishin mundur t'i shpëtonin konfiskimit të hetimit të mëparshëm të Palermos. Një nga personat e arrestuar, është sipërmarrës ndërtimi mjaft i njohur në Palermo, (Francesco Zummo), i arrestuar kishte lidhje të ngushta me mafiozin e njohur Ciancimino  e me persona të tjerë të mafies siciliane Cosa Nostra. Kreu i Antikrimit i Policisë Italiane informon se përmes një skeme komplekse që lëvizte mes aksit Milanos, Palermos e Tiranës duke kaluar në Zvicër personat e përfshirë qarkullonin e pastronin këto para me qëllim pasurimi.