Parisi përkujton viktimat e 13 nëntorit 2015, sulmet nga ISIS lanë 130 të vdekur dhe 350 të plagosurit
13 nëntori 2015 u kujton francezëve sulmet terroriste në Paris. Të shtunën, zyrtarët e shtetit kujtuan 130 viktimat dhe 350 të plagosurit 6 vite pas masakrës në kryeqytet.
13 nëntori është një datë përkujtimore për francezët pasi 6 vite më parë ishte një ditë terrori për Parisin.
Kryeministri i Francës, Zhan Kasteks, kryebashkiakja, Anë Idalgo, dhe zyrtarë e qytetarë të thjeshtë bënë homazhet në kujtim të 130 të vrarëve dhe qindra të lënduarve nga seria e sulmeve terroriste prej militantëve të ISIS-it.
Nderimet e para u kryen te stadiumi në veri të kryeqytetit ku nisi gjithçka, dhe ku tre kamikazë flijuan veten.
Të tjerë kamikazë u shpërndanë në bar-kafetë afër qendrës.
Kurora me lule u vendosën edhe jashtë sallës së koncerteve "Bataklan", ku tre militantë të Shtetit Islamik, të armatosur me automatikë dhe eksplozivë, qëlluan drejt turmës duke vrarë 90 prej tyre.
Një pjesë e autorëve u vetëvranë apo u ekzekutuan, ndërsa për të vetmin xhihadist të kapur vijon ende gjyqi edhe për bashkëpunëtorët e tij.
Këtë javë dëshmoi edhe ish-presidenti Fransua Olond, i thirrur si dëshmitar nga shoqata e viktimave të 13 nëntorit 2015.
"Besoj se viktimat e kanë përsëritur shpesh këto 5 javë se nuk na goditën rastësisht, por verbërisht. U goditëm sepse përfaqësojmë shoqërinë franceze, ndaj kur një kryetar shteti vjen e thotë se shoqëria dhe Shteti duhet t'i mbështetin viktimat, se është normale t'i kompensojmë ato, këto janë gjëra të thënë nga pikëpamja politike, por po i dëgjojmë edhe në një sallë gjyqi," tha Arthur Dénouveaux.
Sulmet e 2015-ës u arsyetuan nga ISIS-i ngaqë Franca po i luftonte në Iran e Siri.
Gjashtë vite më vonë, autoritetet thonë se rreziku nga sulmet terroriste mbetet i lartë dhe ka marrë forma të reja.
