Shënohet rekord emigrantësh që kalojnë në mënyrë të jashtëligjshme drejt Anglisë

Rreth 1,185 persona kaluan Kanalin Anglez me varkë për të arritur në Mbretërinë e Bashkuar të enjten, 11 nëntor një rekord i ri për kalimet e emigrantëve në një ditë të vetme.

Katër anije të Forcave Kufitare kapën varkat që u vunë re në brigje dhe i shoqëruan në Dover.

Tre persona dyshohet se kanë humbur në det, thanë autoritetet franceze.

Një burim i Whitehall akuzoi Francën për humbjen e kontrollit të situatës.

Më shumë se 23,000 njerëz kanë bërë kalimin nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar me varkë deri tani gjatë këtij viti.

Të premten, Zyra e Brendshme konfirmoi numrat e saktë, duke thënë se 1,185 njerëz u shpëtuan, u kapën dhe u sollën në breg  nga Forcat Kufitare, ndërsa autoritetet franceze penguan 99 persona të arrinin në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas autoriteteve në Francë, tre personat që rezultojnë të pagjetur u raportuan të zhdukur nga emigrantë të tjerë.

Zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar thonë se duan të ndalojnë kalimet nëpërmjet Kanalit, duke i përshkruar ato si të rrezikshme dhe të panevojshme.

Një zëdhënës i Zyrës së Brendshme tha se numri i kalimeve të emigrantëve të enjten ishte "i papranueshëm".

Rekordi i mëparshëm ishte 853 persona që kaluan më 3 nëntor.

"Publiku britanik është mjaftuar duke parë njerëz të vdesin në Kanal, ndërsa bandat e pamëshirshme kriminale përfitojnë nga mjerimi i tyre dhe Plani ynë i Ri për Emigracionin do të rregullojë sistemin e prishur që inkurajon emigrantët të bëjnë këtë udhëtim vdekjeprurës," tha zëdhënësi, raporton BBC.