Pastrimi parash e sekuestro 18 mln euro/ Kunati i arrestuar i Rezart Taçit është djali i një ish gjyqtareje të Tiranës
SPAK deklaroi se në skemën e pastrimit të parave, transferimit jashtë dhe fshehjes së shumave monetare biznesmeni Rezart Taçi kishte përfshirë njerëz të besuar. Sot janë arrestuar kunati i tij Artur Balla dhe truproja Bledar Lilo.
Artur Balla është dhe djali i ish - gjyqtares së Tiranës Dhurata Balla për të cilën më 17 qershor 2021 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi që të ndërpresë procesin e rivlerësimit si dhe t’i ndalojë asaj emërimin në drejtësi për një periudhë 15-vjeçare.
Vendimi i KPK
Ky vendim i Komisionit erdhi për shkak të dorëheqjes së Ballës nga statusi i magjistratit pasi iu kërkuan shpjegime lidhur me gjetjet e hetimit administrativ.
Dhurata Balla e kishte nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punoi deri në vitin 2013 si gjyqtare në Gjykatën e Krujës. Prej vitit 2013, ajo e ushtroi funksionin në Gjykatën e Tiranës. Për 15 vite ajo është ndaluar të emërohet si gjyqtare ose prokurore të çdo niveli, anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektore e Lartë e Drejtësisë ose Prokurore e Përgjithshme.
Si funksiononte skema
Me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera."
SPAK ka sekuestruar mbi 18 milione euro, ndërsa pjesë e skemës ishin dhe dy shtetas italianë e një shtetas zviceran.

