BKT për herë të parë në bursat ndërkombëtare, "Smart Invest" platforma për investimet në aksione

Banka Kombëtare Tregtare ka sjellë për herë të parë në Shqipëri platformën online të investimeve në bursat ndërkombëtare. Përmes "BKT Smart Invest", klientët e saj mund të shesin dhe të blejnë aksione në kompanitë më të mëdha në SHBA dhe në Evropë. 

Për herë të parë në Shqipëri, shtetasit që preferojnë të luajnë me bursat ndërkombëtare nga shtëpia e tyre mund ta bëjnë këtë dëshirë realitet.

Klientët e BKT, tashmë përmes "Smart Invest", një aplikacion i miratuar nga Autoriteti i mbikëqyrjes financiare, mund të investojnë në nivele ndërkombëtare në një gamë të gjerë të produkteve financiare, përmes kësaj platforme online. 

Drejtori i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit të BKT, Z. Seyhan Pencablıgil ka deklaruar se ky “është një revolucion për Tregun e Financave Shqiptare”.

"Klientët tanë mund të investojnë në aksione nga SHBA dhe Europa të kompanive të mirënjohura,të blejnë dhe shesin të mira materiale si nafta e papërpunuar, bakri, gruri; të hapin një pozicion në metalet e çmuara si ari, argjendi dhe platini," tha ai.

Drejtori Ekzekutiv i AMF, Ervin Mete njoftoi se ky institucion është angazhuar në përafrimin e kuadrit ligjor e rregullator me legjislacionin e BE-së.

"Kemi miratuar kritere shtesë në mënyrë që këto platforma të mund të operojnë me një siguri të lartë," tha Mete.  

Përmes "BKT Smart Invest" mund të investojnë jo vetëm ata që kanë biznese por edhe individë që kanë llogari në këtë bankë. 

Tashmë është i mundur investimi në aksione në kompani ndërkombëtare që veprojnë shtete të ndryshme si Apple, Alphabet (Google), Volksëagen, Alibaba, Shell, Pfizer Biontech etj.