Tiranë/ Përplasen makinat në kryqëzimin e '21 Dhjetorit', shoferi i dehur vret dy persona
Një aksident me dy viktima u regjistrua gjate orëve të para të mëngjesit të sotëm në Tiranë.
Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin në kryqëzimin e “21 Dhjetorit” dhe për pasojë ka ndërruar jetë një prej drejtuesve të mjeteve të përfshira në aksident dhe një prej pasagjerëve në automjet.
Policia bën me dije se viktimë ka mbetur shoferi, Luan Cenollari, polIc burgjesh , ndërsa po ashtu ka humbur jetën si pasojë e përplasjes edhe pasagjeri 69 vjeç, Ali Bejo.
Ndërsa drejtuesi i automjetit tjetër është identifikuar me emrin Emirjan Doko, 30 vjeç.
Ky person ka qenë shoferi i mjetit “Citroen” që ka shkaktuar aksidentin.
Paraprakisht dyshohet se ai ka qenë i alkoolizuar dhe ka qarkulluar me shpejtësi duke kaluar rrugën me semafor të kuq.
Nga kontrolli i mjetit i është gjetur një armë zjarri tip pushkë.
Ngjarja e rëndë nxori në pah edhe dramën e Cenollarit, i cili rezulton se ishte punonjës burgjesh, por punonte edhe si taksist për të mbuluar kostot e jetesës.
Ky fakt u bë me dije nga Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë, të cilët denoncojnë situatën e vështirë të policëve të burgjeve, duke u theksuar se marrin paga të ulëta dhe as nuk paguhen për orët shtesë, duke u detyruar të bëjnë edhe punë të dyta.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë, Policia ka nisur hetimet për të zbuluar më shumë për shkaqet e aksidentit.
Emirjan Doko ndodhet ne spitalin e Traumës, me politrauma. Një dëmtim e ka në kokë, tjetrën në pjesën e kofshës ku ka dëmtuar kockat.
Gjenda e tij është e rëndë por e stabilizuar dhe do ti nënshtrohet operacioneve.
Njoftimi i policisë
Specialistët e Qarkullimit Rrugor, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në përfundim të veprimeve për aksidentin e ndodhur mëngjesin e sotëm, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. D., 30 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugore’’, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Ky shtetas, më datë 11.11.2021, rreth orës 03:20, në kryqëzimin "21 Dhjetori", duke drejtuar mjetin “Citroen” është përfshirë në një aksident me mjetin “Honda” me drejtues shtetasin L. C., 58 vjeç. Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë në vendngjarje pasagjeri në mjetin “Honda”, shtetasi A. B., 59 vjeç, ndërsa drejtuesi, shtetasi L. C. ka ndërruar jetë në spital. Drejtuesi i mjetit “Citroen”, shtetasi E. D., ndodhet në spital, në gjendje të rëndë.
Gjatë kontrollit të mjetit që drejtonte shtetasi E. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pushkë, ndërsa gjatë kontrollit fizik këtij shtetasi iu një armë e ftohtë (thikë).
Foto nga aksidenti 
Foto nga aksidenti 