Çmimi i biletave të autobusëve nuk do të rritet, Shoqata e Transportit: Shpresojmë që qeveria të na subvencionojë kostot
Çmimi i biletave për transportin urban mund të rritet nëse qeveria nuk i jep fonde shtesë Bashkisë Tiranë. Në 2015 çmimi i biletave u rrit nga 30 lekë në 40 lekë për garantimin e kushteve më të mira të këtij shërbimi.
Sot që çmimi i biletës është 40 lekë sa të kënaqur janë qytetarët?
"Fare, një orë në stacion."
"Në çdo stacion një orë, një orë e gjysmë".
"Ka shumë njerëz."
Kreu i Shoqatës së Transportit, Dashnor Memaj, thotë se gjatë kësaj periudhe pavarësisht vështirësive që po has ky sektor çmimi i biletës nuk do të ndryshojë.
"Shpresojmë që të ketë një mirëkuptim mes institucioneve që kjo të arrihet në mënyrë që mos të preket xhepi i qytetarëve për një çmim më të lartë të biletës".
Edhe pse transporti operon me flotë 90-100% të kapaciteteve të saj, trafiku, tejmbushja e autobusëve dhe vonesat e linjave vijojnë të mbeten problem.
"Duhen stacione, terminale, korsi të dedikuara për një transport më funksional. Në këto momente asnjë nga operatorët nuk është në gjendje të kapë itinerarin me këtë trafik të rënduar."
Heqja e akcizës dhe taksës së qarkullimit për transportin publik janë dy propozimet e shpeshta të bëra për ti dhënë zgjidhje kështu shqetësimeve të shumta të shërbimit urban.

