Këlliçi: Inceneratorët do të marrin 430 mln euro edhe pse nuk ekzistojnë, Rama e Veliaj censurojnë mediat

Në një intervistë për RTV Ora, deputeti demokrat dhe kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi u shpreh se nuk kanë lënë asnjë cent për inceneratorët, ndërsa nuk kanë dhënë para për studentët apo shtresat në nevojë.

Ai tha se PD-ja ka bërë 3 kallëzime në SPAK për këtë çështje dhe nuk kemi asnjë reagim se çfarë po ndodh me to.

Ai shtoi se vetëm në Tiranë vlera e inceneratorit për 30 vite shkon në 430 milionë euro dhe sot që janë dikur te 33 milionë euro pagesa, plehrat mbulohet dhe shkojnë në landifillin e Sharrës.

Këlliçi: Nuk kanë lënë asnjë cent për inceneratorët, ndërsa nuk kanë dhënë para për studentët apo shtresat në nevojë. Ne kemi pasur sot në komisioni hetimor një debat 3 orë dhe nuk ka pasur asnjë media, përpos medias tuaja. Ne kemi treguar me fakte dhe prova se çfarë shkelje janë bërë në inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Ne mendojmë se kryeministri është i përfshirë drejtpërdrejt në këtë aferë dhe zv. Kryeministri që para pak kohësh pati një aksident me pronarin e inceneratorëve, zoton. Po ashtu përfshihet kryebetonierja e Tiranës, Erion Veliaj , i cili ka bërë një çudi: ka firmosur i vetëm për inceneratorin e Tiranës për gjithë qarkun Tiranë.

Ne kemi bërë 3 kallëzime në SPAK për këtë çështje dhe nuk kemi asnjë reagim se çfarë po ndodh me to. Ne kemi prova në mënyrë rrethanore dhe nga institucionet. Duket se deputetët dhe gazetarët kanë bërë një punë shumë më të madhe se prokurorët e SPAK-ut. Inceneratorët kanë një censurë të plotë në media. Vetëm në Tiranë vlera e inceneratorit për 30 vite shkon në 430 milionë euro dhe sot që janë dikur te 33 milionë euro pagesa, plehrat mbulohet dhe shkojnë në landifillin e Sharrës. Incenerator nuk ka dhe i është bllokuar leja mjedisore. Këtu po bëhet një grabitje.

Këlliçi shtoi se do ta ngrejë gjithmonë zërin për çështjen e inceneratorëve, duke përmendur edhe emrin e Ardit Gjoklajt që u vra në landfillin e Sharrës.

Këlliçi: Unë do të bëj çdo gjë për të ngritur zërin për këtë çështje, duke filluar qysh nga rasti i të ndjerit Ardit Gjoklaj për të cilin e kam një detyrim moral personal kundrejt familjes së tij. Me urdhër të Erion Veliajt, prokuroria e ka nxjerrë se gjoja ai është vrarë jashtë landfillit dhe e kanë sjellë aty trupin. Ai djalë është vrarë për herë të dytë. Sa herë flasim për këtë çështje me urdhër të Veliaj dhe Ramës, censurohen mediat. Ndërsa nga pala e mazhorancës kam parë një tentativë për t’i mbyllur gojën opozitës për këtë aferë.