Shtyhet ngritja e komisionit për reformën zgjedhore, Rushaj: Nuk është gjetur akoma dakordësia me PS


Shtyhet për seancën tjetër ngritja e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.

Kryetarja e Kuvendit vendosi ta heqë nga rendi i ditës i seancës së sotme plenare me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj.

Ky i fundit tha se nuk është gjetur akoma dakordësia me PS për objektin e Komisionit.

"PD ka paraqitur një projektvendim për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për realizimin e reformës zgjedhore. Kemi pasur diskutime me PS për të dakordësuar objektin e komisionit dhe deri tani nuk është gjetur akoma dakordësia por kemi propozuar që të vazhdojmë të paktën dhe javën tjetër për të gjetur një mundësi për të rënë dakord për objektin e këtij komisioni. Për këtë arsye propozoj heqjen nga rendi i ditës dhe diskutimin në seancën tjetër plenare të këtij propozimi".

Kërksa e tij u dakordësua në Kuvend.

Kërkesa për ngritjen e këtij Komisioni u bë më 27 tetor nga 10 deputetë të Partisë Demokratike.