"Lojëra fati të paligjshme", 5 të arrestuar në Tiranë, 3 në kërkim

 

Policia e Tiranës ka goditur 3 raste të zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.

Në kuadër të operacionit policor të koduar "Fati i lojërave” u arrestuan 5 persona, 3 u shpallën në kërkim dhe 3 të tjerë u proceduan penalisht.

Sekuestrohen shuma të konsiderueshme parash në lekë dhe euro (të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme), 10 njësi kompjuterike, 8 monitorë, 16 aparate celular dhe dy dekodera që shërbejnë për piratimin (vjedhjen) e sinjaleve televizive.

Rasti 1

U arrestuan në flagrancë shtetasit  E. A., 19 vjeç dhe A. H., 18 vjeç (punonjës të lokalit), dhe u proceduan në gjendje të lirë 2 klientë të kapur në flagrancë, si dhu e shpall në kërkim pronari i lokalit, pasi në Kombinat, u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 120.000 lekë të rinj, 5 njësi kompjuterike, 4 aparate celular dhe dy dekodera që shërbejnë për piratimin (vjedhjen) e sinjaleve televizive.

Rasti 2

U arrestuan në flagrancë shtetasit  L. Xh., 27 vjeç dhe K. B., 28 vjeç (kamarierë në një lokal) dhe u shpall në kërkim pronari dhe administratori i lokalit pasi në rrugën “Petro Nini Luarasi” u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularëve.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 aparate celular, 900.000 lekë të rinj dhe 2975 euro (të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme).

Rasti 3

U arrestua në flagrancë shtetasi  A. G., 37 vjeç dhe u procedua  penalisht në gjendje të lirë shtetasi Sh. H., 39 vjeç, pasi në rrugën “Pasho Hysa”, gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin e marrë me qira prej tij, u gjetën dhe u sekuestruan 5 njësi kompjuterike, 8 monitorë dhe 7 aparate celular, që dyshohet se përdoreshin për lotari të palejuara. 

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.