Karriera 16-vjeçar e Merkel në politikë: Nuk e di se çfarë do të bëjë në të ardhmen

Kancelarja gjermane në largim, Angela Merkel, ka pranuar se ende nuk e di se çfarë do të bëjë në të ardhmen. Në një bilanc të mandatit të saj, përballë drejtorit të lajmeve të Deutsche Welle, Max Hofmann, në Berlin, Merkel tha se sfidat më të vështira për të si kancelare ishin: ardhja e refugjatëve në Gjermani në vitin 2015 dhe lufta kundër pandemisë së covid 19.

“Këto dy ngjarje ishin për mua personalisht sfidë, ndërkohë që numrin e madh të refugjatëve që vijnë, unë nuk do të doja ta quaja krizë, sepse njerëzit janë njerëz.”

Kurse për pandeminë e koronavrusit Merkel tha:

“Aty pamë se sa shumë njerëz u prekën drejtpërdrejt, pra kemi të bëjmë me fate njerëzore”.

Merkel, e cila para se të bëhej Kancelare ishte ministre e Mjedisit dhe ka kryesuar samitin e parë të OKB-së për klimën në Berlin në 2005, nuk pranon se personalisht ka dështuar në politikën klimatike.

Karriera 16-vjeçar e Merkel në politikë: Nuk e di se

“Ne jemi bërë më të shpejtë. Por kurrë nuk ka qenë si tani, që distanca ndaj vlerësimeve shkencore është rritur përsëri. Kjo duhet të ndryshojë tani gjatë kësaj dekade. Glasgou tashmë ka sjellë disa rezultate, por nga këndvështrimi i të rinjve, me të drejtë ende po ecën shumë ngadalë. Të rinjve dua t’u them se duhet të bëjnë presion”, tha ajo me një qartësi të habitshme.

Në takimin e G20 një javë më parë në Itali, Merkel u shfaq disa herë në takime dhe në publik me pasardhësin e saj të mundshëm, Olaf Scholz, i cili është ministër i Financave në qeverinë gjermane ende në detyrë.

Pyetjes se çfarë do të bëjë tani që së shpejti do të largohet prej pushtetit, Merkeli ju përgjigj:

“Nuk e di se çfarë do të bëj më pas. E kam thënë që fillimisht do të pushoj dhe do të shikoj se çfarë më vjen në mendje. Do të lexoj dhe do të fle shumë”, tha ajo.

“Gruaja e hekurt” dha dorëheqjen si kancelare e Gjermanisë pas 16 vitesh në pushtet, duke i dhënë fund një karriere politike, e cila ka zgjatur më shumë se tre dekada./Ora News/