Diploma, “biletë” për Gjermani, infermieria, e preferuara e maturantëve në Universitetin e Vlorës
Ikja e mjekëve dhe infermierëve është kthyer në një shqetësim real për vendin tonë. Në Universitetin e Vlorës, dega e vetme e cila ka mbushur në masën 100% kuotat që në raundin e parë është infermieria, ndërsa zyrtarët dhe studentët e konfirmojnë faktin, që diploma e infermierisë është një biletë e sigurt drejt Gjermanisë.
Teksa degët e mësuesisë në shumë universitete të vendit janë drejt kolapsit, Infermieria po lulëzon!
Në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë degët e infermierisë janë mbushur që në raundin e parë të aplikimeve.
190 studentë janë riregjistruar këtë vite të ri akademik në degën e infermierisë së përgjithshme ndërsa 90 në degën e infermieri mamisë.
“Ky vit akademik ka nisur me kërkesa të shumta dhe kuotat tona janë plotësuar qysh në raundin e parë.”
Pedagogia Evis Allushi e konfirmon faktin që këto degë janë të preferuarat, për shkak se shumica e studentëve e shohin diplomën si një biletë të sigurt drejt Gjermanisë!
“E ndeshim ditë pas ditë që shumica e tyre kërkojnë që të largohen.”
Puna e sigurt, pagat e larta, dhe siguria për të ardhmen janë arsyeja kryesore pse të rinjtë po kthejnë sytë drejt vendeve evropiane kryesisht Gjermanisë e cila kërkon në vazhdimësi mjek dhe infermierë.
“Jashtë janë pagat më të mira, po të jenë edhe këtu pagat aq sa atje, do të vazhdojmë këtu. Momentalisht mendojmë për jashtë.”
Universiteti i Vlorës nuk ka një shifër të saktë se sa student ikin çdo vit, por ajo që është e sigurt është që kjo shifër po vijon të jetë në rritje nga një vit në tjetrin.
