Qeni Brendi, që gjeti gjashtë trupa në rrënojat e tërmetit, zbuloi dhe trupin e Rruzhdi Hoxhës mbuluar me zhavorr e gurë
Ora News siguroi raportin konfidencial që policia kishte përgatitur lidhur me zhdukjen, rrëmbimin dhe më pas vrasjen e biznesmenit Rruzhdi Hoxha.
Raporti përshkruan me detaje nga momenti i mbërritjes në polici të denoncimit të familjarëve për zhdukjen e 43 vjeçarit deri tek zbulimi i trupit të pajetë në Qafë Mollë prapa Dajtit.
Në një pjesë të këtij relacioni zbulohet dhe si u arrit në gjetjen e trupit të pajetë
Gjetja e xhupit e futja në lojë, e qenit që zbuloi 6 viktima të tërmetit 2019
Policia kishte prova mbi tavolinë por e kishte të pamundur të ngrinte akuzë kundër Ferdinand Rrushit, në një kohë që ende nuk kishte gjetur trupin.
Ditën e premte (5 nentor) , policia rimori një aksion të gjerë, duke kërkuar në të dy anët e rrugës, me shpresën se do gjente, gjurmë të Rruzhdi Hoxhës. Nuk vonoi shumë dhe shefi i hetimit të Krimeve të Rënda, Gilbert Hoxha, zbuloi xhupin e Rruzhdi Hoxhës. Xhupi ishte i gjakosur dhe kishte një vrimë, karakteristikë e goditjeve me armë.
Gjatë gjithë ditës së premte, policia ka kontrolluar pa pushim në një terren të vështirë malor, por pa rezultat.
Po mëngjesin e ditës së shtunë, (6 nëntor 2021) strukturat e policisë kriminale në Tiranës, kërkuan ndihmën e institutit të qenve, ku u vunë në dispozicion, dy qen nuhatës.
Njëri prej tyre ishte dhe qeni pastor “Brendi”, i përdorur nga policia gjatë nëntorit 2019 në tragjedinë e tërmetit, ku ky qen arriti të zbulojë 6 viktima mes rrënojave, raporton Ora News.
“Brendit”, ju vendos xhupi i Ruzhdi Hoxhës, dhe mbi erën e tij filloi të ndjekë gjurmën. Fillimisht “Brendi” arriti të gjejë këpucën e Rruzhdi Hoxhës, duke ngjallur shumë shpresat e policisë që ishin në terren, për gjetjen e trupit të pajetë të Rruzhdiut, mëson Ora News.
Në një moment “Brendi”, në ndjekje e sipër të erës, ulet mbi një pirg me gurë dhe nuk lëviz për asnjë moment. Ai filloi të lehë dhe ti bëjë shenjë instruktorit të tij të policisë, se diçka fshihet poshtë atyre gurëve ku kishte qëndruar “Brendi”, shkruhet në raportin e siguruar nga Ora News
Punonjësit e policisë, kanë filluar të heqin gurët, duke vënë më pas re se aty ndodhej trupi i pajetë i Rruzhdi Hoxhës. Biznesmeni ishte qëlluar me dy plumba, një në gjoks dhe një në qafë, çka i kanë sjellë vdekjen e menjëhershme.
Për zbulimin e plotë të trupit dhe kryerjes së ekzaminimeve është dashur të vijë policia shkencore, për të kryer veprimet e nevojshme.
Lexoni dhe: Si u arrit ne gjurmet e autoreve te vrasjes se biznesmenit
