Nuk ka paqe në PD, "Foltorja" ndan edhe të rinjtë e FRPD-së nga Basha

Sa vjen dhe thellohet përçarja e demokratëve e nisur nga foltorja e ish-liderit historik Sali Berisha. Vendimi i së premtes për mbajtjen e zgjedhjeve për strukturat e reja të Forumit Rinor të Partisë Demokratike tashmë ka futur në debate dhe të rinjtë e kësaj partie. Ndërsa pjesa pro Bashës thotë se zgjedhjet në FRPD janë të vonuara, krerët e FRPD-së deklarojnë se këto zgjedhje janë hakmarrje e Bashës pë rata që i janë bashkuar Berishës dhe që kërkojnë largimin e tij nga PD-ja.

Shpallja e zgjedhjeve në furumin rinor të Partisë Demokratike nga kryedemokrati Lulzim Basha ka shkaktuar reagime dhe përplasje të forta mes strukturave drejtuese të forumit dhe të përzgjedhurve të Bashës.

Oriela Nebiaj, deklaroi se nuk ka ende një datë të përcaktuar për mbajtjen e këtij procesi, por i cilësoi zgjedhjet në FRPD si të nevojshme dhe që duheshin bërë më parë.

"Të gjitha mandatet kanë kaluar dhe Forumi Rinor aktualisht nuk ka një kryetar legjitim dhe asnjë kryesi legjitime. Është e nevojshme, duhet të ishte bërë dhe më në fund jemi gati të realizojmë një proces të bukur që nuk mandaton as një kryetar për interesat të veta por një kryetar që duhet të jetë për interesat e të gjithëve, për një demokraci më gjithëpërfshirëse dhe një forum që na vlen për tu bashkuar dhe jo për tu përçarë."

Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha i ka cilësuar sajesa për interesa personale akuzat se vendimi për zgjedhjet në FRPD vjen pasi kreu i kësaj organizate Belind Këlliçi ka deklaruar se do të marrë pjesë në “Foltoren” e Berishës.

"Për fat të keq mandati i forumeve drejtuese dhe kryetarit ka skaduar dhe në përputhje me normat demokratike të rinjtë dhe të rejat do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre duke përfshirë edhe kryetarin e ri".

Këtyre pretendimeve i është përgjigjur nga selia blu sekretari i Përgjithshëm i FRPD-së, Grigels Muçollari, i cili deklaroi se Basha po kërkon që të hakmerret pasi rreth 75% e Forumit Rinor e kanë braktisur atë.

"Në këto momnente kryesia e gjykon të papërshtatshme futjen në zgjedhje të forimit duke qenë se PD ndodhet në një krizë të thellë dhe ne duhet ta shohim atë. Nëse kryetari nuk e sheh i bëj thirrje ta shohë dhe ti tërheqë udhëzimet që përçajnë FRPD, trupën zgjedhore të PD dhe fyen dinjitetin e një organizate partnere."

Sipas Lulzim Bashës këto zgjedhje që u thirrën pasditen e së premtes vijnë pasi kryetarit aktual Belind Këlliçi i ka mbaruar mandati.

Ndërsa deputetë të Partisë Demokratike e kanë cilësuar  si një vendim  anti-statutor,  shpalljen e zgjedhjeve  të FRPD-së nga Basha. 

Deputetë të grupit aktual parlamentar demokrat e kanë konsideruar  vendimin si një arsye më shumë që Kuvendi i PD-së të mblidhet sa më parë, duke shtuar se inati  nuk mund të prevalojë ndaj statutit.